AlbanianSport.com 26.02.2017 17:05
ASNN – Besëlidhja ka vuajtur të hënën, por, sidoqoftë, ia ka dalë të marrë një fitore 2-1 në fushën e vet ndaj Burrelit, në takimin që mbylli javën e 17-të e Kategorisë së Parë të Kampionatit Kombëtar të Futbollit. Kjo ndeshje, që u luajt pasdreke në Stadiumin “Besëlidhja” të Lezhës, u soll për sportdashësit drejtpërdrejt nga Rrjeti i Radio-Televizionit Shqiptar.
Me takimin midis Besëlidhjes dhe Burrelit, u luajt në Lezhë dhe ishte e vlefshme për grupin A, ul siparin java e 17-të e Kategorisë së Parë të Kampionatit Kombëtar të Futbollit. Në fakt, skuadra vendase ka vuajtur për të fituar me rezultatin 2-1 dhe për t’u rikthyer në vendin e dytë në renditje. Takimi nis mjaft mirë për lezhjanët, sepse, pas vetëm 9 minutash lojë, Klodian Semina do të gjejë rrugën e rrjetës pas një goditjeje këndi.
Por miqtë do të reagojnë gradualisht dhe do të arrijnë të barazojnë shifrat 4 minuta para përfundimit të pjesës së parë, kur nigeriani Husein do të finalizojë me sukses një goditje këndi të burrelasve. Pjesa e parë e kësaj ndeshjeje ka sjellë edhe një episod tjetër, pasi mbrojtësi Lekaj i Besëlidhjes do të dëmtohet në një dyluftim dhe për të do të kërkohet ndihma e autoambulancës, e cila e ka dërguar atë në spitalin e qytetit.
Pjesa e dytë do të flasë kryesisht për vendasit, që do të jenë pranë golit në minutën e 77-të, kur eagon instinktivisht portieri mik dhe shmang një gol të sigurt. Janë minuta të mira për Besëlidhjen që kërkon golin dhe e gjen atë 2 minuta para përfundimit të kohës së rregullt. Tanimë Besëlidhja ruan vendin e dytë, me 36 pikë, 10 më pak se Kamza kryesuese.