AlbanianSport.com 18/05/2020 20:55
ASNN – Atletet e veshura nga legjendari Xhordan në debutimin e tij në NBA në 1985-ën thyejnë rekordin. Një nga nofkat e shumta të legjendës së basketbollit, Majkëll Xhordan, ishte edhe “Ajrësia e tij”, duke marrë shkas edhe nga marka që ai krijoi në parket, por edhe jashtë tij, që më pas u njoh si “Air Xhordan”. Por tanimë ai do të njihet edhe “Shtrenjtësia e tij”, pasi është mësuar se një palë atlete të tij janë shitur për një shumë rekorde, prej 560 mijë dollarësh amerikanë.
Sipas asaj që njofton rrjeti prestigjioz britanik, BBC, atletet e nënshkruara të legjendës së basketbollit, me të cilat kishte luajtur në vitin 1985, janë shitur për një shumë rekorde prej 560 mijë dollarë në një ankand në Internet. Atletet e markës “Nike Air Jordan 1”, të cilat basketbollisti i njohur i kishte mbathur në sezonin e tij debutues në NBA me Çikago Bulls, ishin parashikuar të shiteshin rreth 150 mijë dollarë nga shtëpia e ankandit, “Sotheby’s”.
Rekordi i mëparshëm ka qenë 437.500 dollarë për një palë këpucë “Nike Moon Shoes” të vitit 1972. Majkëll Xhordan njihej për faktin që mbathte atlete me numra të ndryshëm për dy këmbët e tij, ku madhësia në këmbën e majtë ishte nr. 13, sipas standardit amerikan dhe 47 sipas standardit evropian, ndërsa në të djathtën 13.5 apo 47.5. Ky model i këpucëve “Air Jordan 1” u shit nga Xhordan Gelleri, i cili është themeluesi i muzeut të këpucëve, “Shoezeum” në Las Vegas.