AlbanianSport.com 17/01/2020 19:50
ASNN – Trajneri shqiptar e ka ndryshuar krejtësisht fatin e Ferrarës në koshin italian të meshkujve. Spiro Leka është një nga eksportet më të suksesshme të sportit shqiptar në arenën kontinentale dhe trajneri vazhdon “revolucionin” e tij të heshtur në skuadrën e Ferrarës, që militon në Divizionin Lindor të nivelit të dytë të Kampionatit Italian të Basketbollit për Meshkuj, që njihet si Seria A2.
Në fakt, i janë dashur vetëm 12 javë për të arritur atë që, deri më 28 janar të 2019-ës, kur ai mori në dorë drejtimin e Ferrarës, dukej e pamundur. Por, dy javë para fundit të sezonit të shkuar, Ferrara ia ka dalë të sigurojë edhe matematikisht mbijetesën në Divizionin lindor. Dhe klubi italian nuk ka lejuar t’i ikë nga duart njeriu që e bërë të mundur këtë mbijetesë.
Për këtë arsye, drejtuesit e Ferrarës i kanë ofruar Spiro Lekës në fillim të majit të vitit të shkuar, një kontratë 3-vjeçare, duke i besuar kështu trajnerit shqiptar një projekt të ri me qëllim ringjitjen e klubit. Dhe ky ka rezultuar një bast i fituar, pasi, në drejtimin 54-vjeçarit shqiptar, skuadra e verilindjes së Italisë ka korrur 11 fitore në 18 javët e deritanishme të këtij sezoni.
Dhe për momentin ndan vendin e 3-të dhe të 4-t të renditjes me Mantovën, me nga 22 pikë secila. Në bazë të formulës së këtij kampionati, 8 të parat e renditjes përballen në “play-off” me njëra-tjetrën, me 4 të parat më të favorizuara sa i përket ndeshjeve në fushën e vet, por edhe nivelit të kundërshtarëve.
Pavarsisht se konkurrenca në këtë edicion është shumë e ashpër, dhe kanë mbetur edhe 8 ndeshje deri në përfundim të sezonit të rregullt, skuadra e Lekës duket në rrugë të mbarë për të siguruar play-off-in dhe ngjitjen në nivelin më të lartë të basketbollit të meshkujve në gadishullin e Apenineve, çka, vetëm 12 muaj më parë, ishte e paimagjinueshme.
Klikoni videon e mëposhtme për kronikën e plotë: