AlbanianSport.com 14/05/2019 22:55
ASNN – Trajnerit shqiptar i besohet rindërtimi i skuadrës italiane për sezonet e ardhshme. Spiro Leka ka nënshkruar të hënën një kontratë 3-vjeçare me skuadrën e Ferrarës. Leka e udhëhoqi skuadrën italiane të Serisë A2 nga vendi i fundit në renditje drejt mbijetesës dhe klubi italian nuk ka lejuar t’i ikë nga duart njeriu që e bërë të mundur këtë mbijetesë. Nga një “mision i pamundur” i shpëtimit, që, përkundër gjasave, u realizua me sukses, tanimë bëhet fjalë për një misionin rindërtimi.
Kjo është metamorfoza e asaj që ka ngjarë me trajnerin shqiptar, Spiro Leka, i cili ka nënshkruar të hënën një kontratë 3-vjeçare me skuadrën e Ferrarës. Në fakt, i janë dashur vetëm 12 javë për të arritur atë që, deri më 28 janar, kur ai mori në dorë drejtimin e Ferrarës, dukej e pamundur. Por, dy javë para fundit të sezoni, Ferrara ia ka dalë të sigurojë edhe matematikisht mbijetesën në Divizionin lindor të nivelit të dytë të kampionatit italian të basketbollit të meshkujve, Serisë A2.
Dhe klubi italian nuk ka lejuar t’i ikë nga duart njeriu që e bërë të mundur këtë mbijetesë. Për këtë arsye, drejtuesit e Ferrarës i kanë ofruar Spiro Lekës një kontratë 3-vjeçare, duke i besuar kështu trajnerit shqiptar një projekt të ri me qëllim ringjitjen e klubit. Një gjë të tillë e ka konfirmuar vetë klubi italian, teksa kontrata aktuale e trajnerit të njohur shqiptar përfundonte më 10 qershor 2019. “Nga 28 janari e deri më sot kam mësuar të njoh një mjedis dhe njerëz me të cilët jam ndjerë mirë”, – ka deklaruar shkurtimisht trajneri i mirënjohur shqiptar.
“Me presidentin e kemi gjetur shpejt mirëkuptimin për përvijuar një rrugëtim drejt rritjes, që mund të çojë edhe më tej përpjekjet e bëra deri më tani, – ka vijuar ai. – Për këtë arsye nuk kam marrë në konsideratë asnjë ofertë tjetër.” Ndërsa Presidenti i klubit, Françesko D’Auria, ka deklaruar se gjetja e një mirëkuptimi me trajnerin Leka ishte e thjeshtë. “I ka shpjeguar atij projektet tona dhe vullnetin për të ndërtuar një klub të strukturuar dhe të qëndrueshëm”, – ka deklaruar ai pas firmosjes me trajnerin shqiptar.
“Respekti i madh, vlerësimi i ndërsjellë ka bërë që kontrata të bëhej thjesht një formalitet. Tanimë vijojmë punën për përvijuar skuadrën për vitin që vjen”, – ka përfunduar kreu i klubit të Ferrarës.