AlbanianSport.com 26/11/2017 15:05
ASNN – Dhuna e vërejtur në derbin e basketbollit të meshkujve, midis Tiranës dhe Partizanit, ka bërë që të rikthehet në vëmendje edhe çështja e sigurisë nëpër mjediset sportive dhe masat që duhet të marrin organizmat sportivë për të garantuar mbarëvajtjen e veprimtarive sportive. Për këtë qëllim, Policia e Shtetit ka kontaktuar, që në javën e parë të nëntorit, me Federatën Shqiptare të Basketbollit, duke adresuar problematikën përkatëse.
Në vijim të kësaj korrespondence, organizmi që qeveris koshin shqiptar u ka kujtuar edhe një herë shoqatave anëtare të saj për detyrimet që ata kanë në këtë drejtim. Kështu, shoqatat pjesëmarrëse në veprimtaritë kombëtare të basketbollit duhet t’i përmbahen kushtit për njoftimin e policisë të paktën 7 ditë para zhvillimit të ndeshjes në fjalë dhe Federata u ka kujtuar atyre se nuk do të tolerohet nisja e një ndeshjeje, pavarsisht rëndësisë së saj, pa praninë e forcave të rendit.
Një problem tjetër është mungesa e kushteve minimale të sigurisë për një pjesë të mirë të mjediseve sportive, siç është pjesa e hyrjes dhe e daljes së tifozëve, që duhet të jetë e ndarë nga ajo e hyrjes dhe daljes së sportistëve dhe stafit teknik, perimetri rrethues i fushës, që shpesh lë shumë për të dëshiruar ose nuk ekziston fare, instalimi i kamerave të sigurisë me qëllim për të shërbyer më pas për identifikimin e personave problematikë e të tjera.
Duke e bërë të qartë se nuk do të ofrojnë shërbimin e saj për mjediset sportive që nuk i plotësojnë këto kushte, Policia e Shtetit i ka sugjeruar Federatës dhe shoqatave të basketbollit lidhjen e kontratave me shoqëri të sigurisë fizike. Mbetet për t’u parë sesa do të jenë në gjendje klubet të reflektojnë mbi këto kërkesa, që, ndër të tjera, kanë edhe kosto financiare të shtuara.