AlbanianSport.com 18/02/2019 19:05
ASNN – Trajneri i njohur shqiptar po shkëlqen sërish në parketin italian, 3 fitore në 4 ndeshje. Spiro Leka ka më pak se një muaj që ka marrë drejtimin e Ferrarës, e cila militon në divizionin lindor të nivelit të dytë të koshit italian të meshkujve, Serinë A2. Dhe, nën drejtimin e tij, gjërat kanë nisur të ndryshojnë në mënyrë rrënjësore, teksa skuadra ka korrur 3 fitore në 4 ndeshjet e fundit. Është i njohur për aftësinë e tij për të “ringjallur skuadra dhe “magjia” e tij duket se jo jep fryte edhe në një tjetër klub.
Para ardhjes së shqiptarit në stol, nën drejtimin e trajnerit të mëparshëm, Andrea Bonaçina, skuadra në fjalë mbante fundin e renditjes, me vetëm 5 fitore dhe 13 humbje në 18 javë. Por Leka duket se e ka shndërruar në një tjetër skuadër Ferrarën, e cila ka luftuar fort në takimin e parë nën drejtimin e tij, duke e mbyllur kohën e rregullt në barazim 85-85 dhe duke u mundur vetëm në shtesë 95-99 përballë Poderoza Montegranaros, që mban vendin e dytë.
Ndërkaq, në takimin e dytë, skuadra e trajnerit shqiptar ka fituar 96-95 ndaj Kaljarit, por duke mbetur në zonën e rënies nga Kategoria. Më pas, ka ardhur një tjetër fitore karakteri, 105-91, ndaj Imolës, një tjetër skuadre që gjendej në gjysmën e sipërme të renditjes dhe që është në zonën e “play-off”-it për ngjitjen në Serinë A1. Dhe në fundjavë, ka ardhur edhe fitorja e 3-të radhazi e skuadrës së trajneri shqiptar, e cila ka korrur një tjetër fitore karakteri, 94-88 ndaj Jesit.
Pjesa e parë është mbyllur në barazim 27-27, ndërsa e dyta është fituar 20-19 nga Ferrara, që shkon në kryesim 47-46 në pushimin e madh të ndeshjes. Por skuadra mike rikthehet bindshëm në pjesën e 3-të, duke e fituar 30-22 e duke marrë kryesimin në shifrat 76-69. Por ekipi i Lekës kundërpërgjigjet në 10-minutëshin e 4-t dhe të fundit, duke e fituar atë bindshëm, 25-12 dhe gjithë ndeshjen 94-88. Me këtë fitore, Ferrara ngjitet në vendin e 11-të.
Dhe është vetëm 4 pikë larg zonës së “play-off”-it, çka përbën një arritje të jashtëzakonshme për një ekip që deri para pak javësh ishte në zonën e rënies nga Kategoria. Në takimin e radhës, skuadra e trajnerit shqiptar, Spiro Leka, ka një tjetër provë karakteri ndaj Forlit të vendit të 5-të.