AlbanianSport.com 27/03/2019 13:30
ASNN – Trajneri 39-vjeçar e nis me sfidën derbi me Goga Basket, më pas edhe 4-shja finale e Ligës Ballkanike. Është prezantuar të hënën në mbrëmje si trajneri i ti i Teutës dhe duke folur një ditë më pas për Rrjetin e Radio-Televizionit Shqiptar, Afrim Bilali nuk ka iluzione për pritshmëritë tek skuadra bregdetare.
Për ish-basketbollistin e mirënjohur, Teuta nuk është një ekuacion me shumë të panjohura. 39-vjeçari e nis me një përballje të fortë, siç është derbi i së shtunës me rivalen bregdetare, Goga Basketin, e cila kryeson renditjen e Superligës së basketbollit të meshkujve, me dy pikë më tepër sesa Teuta.
Teuta është edhe në 4-shen finale të Ligës Ballkanike të Basketbollit për Meshkuj, ndeshjet e së cilës do të zhvillohen në Tiranë, por për trajnerin e ri, përparësi mbeten veprimtaritë kombëtare. Përveç stolit të Teutës, Afrim Bilali është edhe trajner i Kombëtares së të rriturve të koshit.