AlbanianSport.com 11.10.2016 08:35
ASNN – Shqipëria është rikthyer pas shumë vitesh të marrë pjesë në veprimtaritë ndërkombëtare të basketbollit të klubeve dhe Tirana e ka nisur me një fitore debutimin e saj në Ligën Ballkanike. Skuadra kryeqytetase ka mposhtur Trepçën e Mitrovicës me rezultatin 78-66, në takimin e sjellë për sportdashësit drejtpërdrejt dhe ekskluzivisht nga Rrjeti i Radio-Televizionit Shqiptar.
Kështu, ka nisur në mënyrën më të mirë të mundshme aventura e Tiranës në Ligën Ballkanike të Basketbollit për Meshkuj, pasi skuadra kryeqytetase e ka fituar takimin e parë, duke mposhtur Trepçën e Mitrovicës me rezultatin 78-66. Duket se përvoja e kënaqshme e Kombëtares kuqezi në Eliminatoret e Evropianit të koshit, por edhe përforcimet e bëra kanë ndikuar pozitivisht tek basketbolli shqiptar.
Kjo, pasi Tirana ka qenë dominuese ndaj një kundërshtari që ka spikatur në basketbollin e Kosovës. E për më tepër, është vërejtur edhe rritje e numri të sportdashësve në Pallatin e Sportit “Asllan Rusi” në kryeqytet, çka është një ogur i mirë për koshin shqiptar. Ndonëse pjesa e parë është mbyllur në barazim 22-22, bardheblutë e fitojnë të dytën 21-17, duke bërë që në pushim të shkojnë në epërsi 43-39.
Kryeqytetasit nuk ndalen as në pjesën e tretë, të cilën e fitojnë 19-16, duke e thelluar kryesimin në 62-55. Kjo epërsi i ka dhënë Tiranës qetësinë e nevojshme për të administruar rezultatin, madje duke e fituar edhe pjesën e 4-t me shifrat 16-11. Përfundimisht, Tirana fiton me rezultatin e përgjithshëm 78-66, ndërsa emocionet e kësaj sfide u sollën për sportdashësit drejtpërdrejt nga Rrjeti i Radio-Televizionit Shqiptar.