AlbanianSport.com 08.12.2016 21:15
ASNN – Tirana nuk ka mundur të fitojë ndaj skuadrës MKK Feni të Maqedonisë, në sfidën e vlefshme për Ligën Ballkanike në basketboll për meshkuj. Bardheblutë janë mundur me rezultatin 63-72, duke u pozicionuar tashmë në vendin e tretë në grupin B, me 10 pikë, po aq sa Feni dhe Sutjeska e Nikshiqit. Kështu, Tirana është mundur 63-72 nga MKK Feni Industries e Maqedonisë, ndeshje kjo e vlefshme për Ligën Ballkanike në Basketboll për Meshkuj.
Bardheblutë, në sfidën e zhvilluar në Sallën Sportive “Fahrie Hoti” në Tiranë, kanë luajtur më mirë se në Maqedoni, kur edhe u mundën me rezultat më të thellë. Madje kanë arritur të fitojnë edhe dy pjesë të lojës. Por më pas skuadra mike bën diferencën me anë të gjuajtjeve për 3 pikë. Protagonist bëhet Petrovski, i cili realizon 6 gjuajtje të tilla. Ndeshja nis më mirë për skuadrën e Fenit të Maqedonisë, e cila krijon menjëherë diferencën deri në 0-10.
Basketbollistët miq janë tepër të saktë sidomos në gjuajtjet nga distanca dhe i mbyllin dy pjesët e para me rezultatin 22-48. Pjesa e 3-të dhe e katërt flet për skuadrën shqiptare. Në sajë të dy amerikanëve, Rame dhe Xhonson, bardheblutë fillojnë të rikuperojnë dhe arrijnë të ngushtojnë diferencën deri në 8 pikë. Por, në këto momente të mira, dy gabime të Karajt në pasim dhe në gjuajtje si dhe pasaktësia e Ramesë bëjnë që maqedonasit të rimarrin veten dhe ta mbyllin takimin me fitore 63-72.
Pas 6 fitoreve radhazi për Tiranën vjen edhe humbja, e cila mund ta penalizojë skuadrën shqiptar për kalimin e grupit. Tirana ndodhet në vendin e tretë në grupin B me 10 pikë, por as sa Feni dhe Sutjeska.