AlbanianSport.com 24.08.2017 20:55
ASNN – Armenia dhe Danimarka do të jenë kundërshtaret e Shqipërisë në grupin B të fazës paraeliminatore të Kampionatit Evropian të Basketbollit për Meshkuj. Ndeshja e parë do të luhet më 24 nëntor 2017, dhe ndeshjet e tjera do të luhen brenda shkurtit të vitit të ardhshëm. Tanimë që janë njohur kundërshtaret, pritet të mësohet edhe emri i trajnerit të ri të Kombëtares, pas largimit të trajnerit Konstantinides.
Përtej zhgënjimit në fazën paraeliminatore Shqipëria ka konfirmuar që prej disa javësh, pjesëmarrjen e saj edhe në Kampionatin Evropian të vitit 2021 në basketboll për meshkuj. Në grupin B të kësaj faze paraeliminatore, Kombëtarja kuqezi do të përballet me Armeninë dhe Danimarkën, ndërsa ndeshja e parë do të luhet më 24 nëntor 2017, dhe ndeshjet e tjera do të luhen brenda shkurtit të vitit të ardhshëm.
Kombëtarja kuqezi e koshit e mbylli me një humbje të pazakontë, 37-113 përballë Holandës, që ka çuar në dorëheqjen e trajnerit Antonis Konstantinides, por edhe në shpërthimin e një debati të gjerë sportiv mbi gjendjen e basketbollit dhe rrugët e daljes nga kjo gjendje. Shqipëria e drejtuar nga trajneri qipriot i ka humbur të 4 ndeshjet që zhvilloi në kuadër të grupit B të paraeliminatoreve të Botërorit 2019.
Ajo ka dështuar dy herë, si në Tiranë, ashtu edhe në fushë të huaj, përballë Austrisë dhe Holandës, duke pësuar humbje me shifra që kishte shumë vite që nuk i pësonte. Tanimë që janë njohur kundërshtaret, të cilat janë të një niveli të njëjtë, në mos edhe më të mirë sesa Austria dhe Holanda, pritet të mësohet edhe emri i trajnerit të ri të Kombëtares, pas largimit të trajnerit Konstantinides.
Në një intervistë për Televizionin Shqiptar, presidenti i Federatës Shqiptare të Basketbollit, Avni Ponari, ka theksuar se po shqyrton midis 5-6 kandidaturave dhe do të vendosë shumë shpejt për emrin e trajnerit të ri të Kombëtares.