AlbanianSport.com 17.09.2016 20:45
ASNN – Shqipëria fiton me Sllovakinë 72-65 ndeshjen e fundit në grup, të vlefshme për Eliminatoret e kampionatit Evropian të basketbollit. Lojtarët kuqezinj kanë luajtur më mirë, kanë bërë më pak gabime se kundërshtari duke arritur kështu fitoren e parë në këtë veprimtari. Ndeshja u luajt në Pallatin e Sportit “Asllan Rusi” në kryeqytet dhe u transmetua drejtpërdrejt nga kanali RTSH 2.
Prishet mallkimi për basketbollin e meshkujve. Pas 7 vitesh, kombëtarja shqiptare e koshit të meshkujve rikthehet tek fitorja. Në mbrëmjen e së shtunës, në Pallatin e Sportit “Asllan Rusi” në kryeqytet, djemtë e trajnerit Antonis Kostandinides kanë fituar 72-65 me Sllovakinë, ndeshje kjo e vlefshme për Eliminatoret e Kampionatit Evropian të Basketbollit për Meshkuj.
Kjo ishte e ndeshja e fundit në grup për kuqezinjtë e koshit, ndërsa më parë i kishin humbur 5 ndeshjet e tjera, me Gjeorgjinë dhe Malin e Zi, në shtëpi dhe në fushë të huaj, dhe një me Sllovakinë në fushën e kësaj të fundit. basketbollistët tanë kanë luajtur më me kujdes se kundërshtari në sfidën e së shtunës, kanë bërë më pak gabime në mbrojtje dhe janë treguar më të saktë në gjuajtje.
Gjë që e tregojnë që në minutat e dy pjesëve të para të cilat mbyllen me rezultatin 39-31 në favor të kuqezinjve. Broudus dhe Gerti Shima udhëheqin skuadrën drejt fitores duke finalizuar me sukses sulmet e tyre. Minutat e fundit të ndeshjes janë dramatike teksa, të dyja skuadra nga nxitimi dhe dëshira për ta fituar takimin bëjnë shumë gabime. Por me pak kujdes, lojtarët tanë arrijnë të administrojnë rezultatin dhe fitojnë krejt takimin 72-65.