AlbanianSport.com 20/12/2018 13:50
ASNN – Prishtina në basketboll për meshkuj ka regjistruar fitoren e parë të madhe në “FIBA Europe Cup”, pasi në kuadër të grupit I të Eliminatoreve, mposhti skuadrën hungareze të Zolnoki Olaj, me rezultatin 81-76. Dueli i zhvilluar në Pallatin e Sportit dhe të Rinisë në Prishtinë, dhuroi emocione dhe spektakël, pasi rivaliteti ishte shumë i madh nga minuta e parë e deri në të fundit. Në të katër pjesët kishte rivalitet të spikatur, aq sa fitorja lëkundej sa në një krah në tjetrin.
Sidoqoftë, skuadra e shquar e basketbollit të Kosovës siguroi një fitore të madhe në këtë fazë, sepse i rrit asaj prestigjin në rang ndërkombëtar. Të udhëhequr nga Kalid Bukiçu dhe Dardan Berisha, që shënuan përkatësisht 18 dhe 17 pikë, lojtarët e skuadrës së Prishtinës ditën në fund të bënin dallimin me vetëm 5 pikë, por mjaftueshëm për të regjistruar fitore dhe për të shpresuar më të mirën në duelet e ardhshme.
Kështu, pjesa e parë 10-minutëshe u mbyll me shifrat e barabarta 18-18, duke dëshmuar për një rivalitet të spikatur dhe një lojë të ekuilibruar. Edhe 10-minutëshi i dytë ishte i ekuilibruar tërësisht. Sidoqofët, ekipi i kryeqytetit të Kosovës bëri një diferencë të vogël në këtë pjesë me shifrat 22-21. Pra gjysma e parë e ndeshjes u mbyll me rezultatin 40-39. Në dhjetëminutëshin e tretë ishin hungarezët që fituan 19-21, pra me dy pikë më shumë, duke e përmbysur rezultatin.
Por shqiptarët e Kosovës do të bënin diferencën në 10-minutëshin e katërt dhe të fundit, duke e fituar me shifrat 22-16 dhe krejt takimin 81-76. Një fitore e madhe që do të thotë shumë për vazhdimësinë. Pak ditë më parë, Prishtina ishte mundur në Gjermani nga skuadra e Oliver Vyrzburgut, por fitorja e fundit me hungarezët e Zolnoki Olaj është shpresë për një nga dy vendet e para në grupin I. Ndërkohë, ndeshja tjetër e këtij grupi, ajo mes turqve të Pioinar Karshijakës dhe gjermanëve të Oliver Vyrzburgut përfundoi me fitoren e gjermanëve 96-87.
Pas dy ndeshjeve të para, gjermanët e Vyrzburgut mbajnë vendin e parë me 4 pikë, ndjekur nga Prishtina dhe Karshijaku me 3 pikë, ndërsa hungarezët e Zolnoki Olaj mbeten në vend të fundit me 2 pikë.
FIBA Europe Cup
Prishtina – Zolnoki Olaj 81-76
(18-18, 22-21, 19-21, 22-16)
Renditja:
Nr. Skuadra N F H Pikë
- Oliver Vyrzburg 2 2 0 4
- Pinar Karshijaka 2 1 1 3
- Z Mobile Prishtina 2 1 1 3
- Zolnoki Olaj 2 0 2 2