AlbanianSport.com 07/01/2018 20:00
ASNN – Teuta ka korrur të martën të mbrëmje fitoren e 3-të në po aq ndeshje të Ligës Ballkanike të Basketbollit të Meshkujve, duke triumfuar 94-85 në Maqedoni ndaj Kozhuvit vendas dhe, duke folur për Rrjetin e Radio-Televizionit Shqiptar, trajneri Boban Niniç, ka vlerësuar përpjekjen e skuadrës së tij.
Për trajnerin e bregdetarëve, kjo nisje e mirë e sezonit nuk ishte aq e papritur sa ç’duket. Me mbylljen e fazës së parë, 30-vjeçari tanimë i ka të qarta sfidat që e presin skuadrës së tij.
Teuta kryeson renditjen e Ligës Ballkanike me 6 pikë, ndërsa ndan kreun e renditjes së Superligës së Kampionatit Kombëtar të Basketbollit për Meshkuj me Goga Basketin dhe Partizanin, me nga 9 pikë secila.
– Së pari, a ishte një fitore më e lehtë se ç’pritej ajo me Kozhuvin?
– Ishte një ndeshje e vështirë në fakt, por, që nga fillimi, pata besim tek djemtë e mirë se do të bënim një punë të mirë. U përgatitëm mirë për këtë ndeshje me informacionin që grumbulluam mbi kundërshtarin, ashtu sikundër për çdo ndeshje të Ligës Ballkanike bëjmë një përgatitje të veçantë dhe kjo na dha fitoren. Unë jam i lumtur me lojtarët, me reagimin e tyre në parket, kryesuam që nga fillimi dhe e ruajtëm epërsinë, ndonëse e humbëm pak barazpeshën e lojës në sulm në pjesën e 4-t, por e korrigjuam shpejt këtë të metë dhe ia dolëm ta fitonim ndeshjen me 9 pikë.
– A ishte ky fillimi që kishit pritur këtë sezon nga skuadra juaj?
– Për këtë sezon, unë nuk besoj se shumë e kanë pritur që Teuta ta fillonte kaq mirë kampionatin, por edhe Ligën Ballkanike. Madje edhe miqtë e mi nga Greqia, Maqedonia, Mali i Zi, Serbia apo Bosnjë-Hercegovina nuk e prisnin që një skuadër shqiptare ta niste kaq mirë Ligën Ballkanike, por falë punës së bërë nga presidenti Arqile Gorrea dhe shefi i klubit, Kreshnik Leka, me organizimin e mirë të punës, ne e përgatitëm mirë skuadrën, morëm disa lojtarë të Kombëtares, me përvojë dhe, me një energji pozitive e me një shpirt të mirë skuadre do të përmirësohemi dita-ditës.
– Faza e parë e kampionatit është mbyllur dhe po kështu edhe një pjesë e mirë e Ligës Ballkanike është luajtur. Si e nis skuadra juaj këtë fazë të dytë, kur keni dy rivalë si Goga Basket dhe Partizani, si e shikoni betejën deri në fund?
– Unë e shoh Goga Basketin si kundërshtaren tonë më të madhe këtë sezon. Ata punojnë shumë mirë me një trajner me përvojë si Nikola Milatoviç. Edhe Partizani ka një skuadër të mirë dhe trajner të mirë, edhe pse na shtangën në ndeshjen e fazës së parë, ku ne shkonim si favoritë. Shpresoj të shkojmë më larg në paraqitjen tonë në këtë fazë të dytë dhe të ruajmë ritmin e fitoreve.