AlbanianSport.com 30/11/2018 17:25
ASNN – Ka humbur papritur fundjavën e shkuar me Tiranën, dhe tanimë trajneri i Goga Basket, Nikola Milatoviç, e ka bërë analizën e tij për atë dështim. “Të them të drejtën, nuk kam një përgjigje pse ndodhi ajo humbje me Tiranën, – ka thënë ai. – Po ta shikoje ndeshjen, të dukej se lojtarët e mi nuk kishin stërvitje, sikur nuk ishin lojtarët e mi. Kemi bërë një analizë të humbjes dhe, duke parë edhe shifrat, pra, gjuajtjet e lira, gjuajtjet nga brenda dhe jashtë zone, do të thoja se humbja e përqendrimit ishte arsyeja kryesore që ne e humbëm këtë ndeshje.”
“Me pak fjalë, ishte një ditë e keqe për skuadrën time, por kjo nuk i heq asnjë meritë Tiranës, që atë ndeshje e fitoi pastër, – ka vijuar Milatoviç. – Tanimë ne e kemi zhvendosur vëmendjen tek sfida e radhës.” Sfida e radhës është derbi me Teutën, një përballje që për 55-vjeçarin malazez është një ndeshje e rëndësishme në shumë aspekte. “Po, është një derbi i madh, si në nivel kombëtar, ashtu edhe në nivel lokal. Për më tepër, janë dy skuadra që kanë edhe përbërjen më të mirë, që kanë edhe lojtarët më të mirë të kampionatit.”
“Për skuadrën time natyrisht që nuk është gjë e mirë të shkojmë në këtë ndeshje pas asaj humbjeje me Tiranën, – ka pohuar Milatoviçi. – Teuta vjen në këtë sfidë me ne pasi ka fituar me Vllazninë dhe me një trajner të ri, një trajner shumë të mirë që unë e njoh sepse e kam patur trajner kur luaja vetë. Për më tepër, ai ka në dispozicion një organikë të pasur tek teuta, me të paktën dy mundpsi zgjedhjeje për çdo pozicion. Unë beson që do të jetë një ndeshje e bukur të shtunën, një vitrinë mjaft e mirë për vetë basketbollin shqiptar.”
Në prag të kësaj përballjeje, Goga Basket ndan vendin e dytë dhe të 3-të të renditjes me Teutën, me nga 12 pikë secila, një më pak sesa Partizani kryesues.