AlbanianSport.com 14.09.2016 12:35
ASNN – Kombëtarja kuqezi e koshit të meshkujve vazhdon aventurën e saj në grupin F të Eliminatoreve të Evropianit 2017 dhe takimi i radhës është ai që do të zhvillohet sonte në Podgoricë, duke nisur nga ora 21:00. Për trajnerin qipriot të kuqezinjve, Antonis Konstandinides, kjo është ndeshja më e fortë e grupit, ndërsa synimi real sonte është që përfaqësuesja e koshit të vazhdojë të përmirësohet në lojën e saj.
Shqipëria luan sonte takimin e 5-të të vlefshëm për grupin F, atë ndaj Malit të Zi, që është edhe takimi i parafundit në kuadër të Eliminatoreve të Evropianit 2017 të Basketbollit. Për trajnerin qipriot të kuqezinjve, Antonis Konstandinides, kjo është ndeshja më e fortë e grupit, ndërsa synimi real sonte është që përfaqësuesja e koshit të vazhdojë të përmirësohet në lojën e saj.
“Ndeshja në fushë të huaj ndaj Malit të Zi është më e vështira për ne, sepse është skuadra më e mirë e grupit, për të mos thënë që radhitet midis 2-3 më të mirave nga 27 ekipet që marrin pjesë në këto Eliminatore, – ka thënë ai, duke folur nga kryeqyteti malazez, ku gjendet që dje paradreke. – Por do të jetë një ndeshje mjaft e vështirë dhe ne jemi përgatitur për këtë.”
Konstandinidesi nuk do të ketë sonte shërbimet e amerikanit të Kombëtares kuqezi, Rishoun Broudus, i cili vuan një dëmtim dhe stafi teknik ka vendosur që ai të mungojë në sfidën me Malin e Zi për të qenë në maksimumin e vet në ndeshjen e fundit, atë ndaj Sllovakisë. “Natyrisht që do të jetë e vështirë për të gjithë skuadrën pa të sonte, por ne jemi përgatitur për ndeshjen e sotme.
“E kemi studiuar kundërshtarin, duke synuar të korrigjojmë gabimet e bëra në ndeshjen e parë me malazezët në Tiranë, – ka thënë trajneri i Shqipërisë së basketbollit të meshkujve. – Synimi ynë real sonte është të vazhdojmë të përmirësohemi lojën e mirë që kemi bërë në gjysmën e dytë me Malin e Zi, në ndeshjen me Sllovakinë e sidomos në ndeshjen me Gjeorgjinë.”
Shqipëria e ka humbur ndeshjen e parë me Malin e Zi, të luajtur në Tiranë para 10 ditësh, duke u mundur nga skuadra mike me rezultatin 73-113, ndërsa takimi i sotëm do të zhvillohet në Podgoricë, duke nisur nga ora 21:00.