AlbanianSport.com 18.08.2017 12:30
ASNN – Shqipëria i ka humbur të 3 ndeshjet e para të saj në kuadër të grupit B të para-eliminatoreve të Botërorit 2019 dhe, për ndihmëstrajnerin e Kombëtares së basketbollit për meshkuj, Afrim Bilali është koha për rinovimin e skuadrës, por gjithçka duhet bërë me kujdes dhe në kohën e duhur.
Duke folur për Televizionin Shqiptar, Bilali pohon se Kombëtarja nuk i përmbushi pritshmëritë e saj dhe se realiteti duhet pranuar me gjithë të metat dhe të mirat e tij. Të shtunën Shqipëria e mbyll me Holandën grupin B të paraeliminatoreve të Botërorit 2019 dhe ndihmëstrajneri kuqezi kërkon një mbyllje dinjitoze.
Takimi Shqipëri-Holandë, do të zhvillohet të shtunën, duke nisur nga ora 20:30, në Sallën Sportive të Lojërave me Dorë “Feti Borova” në Parkun Olimpik të Tiranës dhe do të sillet për sportdashësit drejtpërdrejt dhe ekskluzivisht nga Rrjeti i Radio-Televizionit Shqiptar.