AlbanianSport.com 26/05/2020 21:40
ASNN – Shefi i Gjykimit në FIBA Evropë, Nakiç, vlerëson rezultatet e shqiptarëve në testin e parë. Në mungesë të basketbollit të luajtur, Federata Shqiptare e këtij sporti vijon procesin e kualifikimit të mëtejshëm të gjyqtarëve të saj. Dhe teksa është zhvilluar para 12 ditësh takimi i parë i gjyqtarëve të basketbollit në kuadër të projektit SCOD (apo thënë ndryshe “Zhvillimi i Gjykimit në Vendet e Vogla”) të Federatës Botërore të Basketbollit (FIBA), të hënën në mbrëmje është zhvilluar edhe takimi i dytë.
Për shkak të rrethanave të krijuar nga epidemia e virusit “Covid-19”, ky takim u zhvillua në platformën sociale “Zoom” dhe ishte në vazhdën e testit për gjyqtarët, që gjithashtu u zhvillua “online” më 18 maj. Edhe takimi i së hënës u drejtua nga instruktori dhe vëzhguesi i FIBA-s dhe drejtuesi nga Sllovenia i projektit “SCOD” për Shqipërinë, Ales Kamnikar, Gjyqtari i FIBA-s dhe Instruktori i FIBA-s, Manuel Maconi nga Italia dhe Ervin Koçi, Gjyqtari shqiptar i FIBA-s, Instruktori i FIBA-s dhe Instruktori Kombëtar.
Takimi u përshëndet nga kreu i Departamentit të Gjykimit i FIBA Evropë, Davorin Nakiç. Ai u shpreh shumë i kënaqur për takimin e parë dhe për rezultatet e arritura prej “bilbilave” të koshit shqiptar në testimin e parë “online” të gjyqtarëve evropianë. Nakiç u bëri thirrje gjyqtarëve shqiptarë që këtë periudhë duhet ta shfrytëzojmë maksimalisht për të mësuar.
Tematika e takimit të dytë ishte “Pozicioni i gjyqtarit udhëheqës/mekanikë gjykimi” e “Zonat e përgjegjësisë” dhe metodologjia ishte “Rregullorja Zyrtare e lojës nga FIBA”. Takimi u shoqërua me video iIustruese për rastet dhe diskutimet, ndërsa nga 60 minuta të planifikuara, ai ka zgjatur plot 90 minuta, ndërsa në të kanë marrë pjesë 23 gjyqtarë të koshit shqiptar dhe një komisar ndeshjeje. Testi i dytë për gjyqtarët e basketbollit do të zhvillohet gjithashtu “online” më 20 maj, ndërsa takimi i radhës do të zhvillohet në qershor.