AlbanianSport.com 12.12.2016 21:15
ASNN – “Një short që është i favorshëm, por aspak i lehtë.” Kështu e ka cilësuar trajneri i Kombëtares, Antonis Konstandinides, grupin paraeliminator të të Botërorit 2019 të basketbollit për meshkuj, që u hodh të shtunën në Pragë. Duke folur për Televizionin Shqiptar, qiprioti i stolit kuqezi, ka shprehur besimin për një paraqitje mjaft më të mirë sesa në Eliminatoret e shkuara.
Shorti i hedhur në kryeqytetin e Republikës Çeke, Pragë, e ka vënë Shqipërinë e basketbollit të meshkujve në të njëjtin grup paraeliminator me Holandën dhe Austrinë dhe, për trajnerin e Kombëtares, Antonis Konstandinides, shorti është i favorshëm, por aspak i lehtë. “Natyrisht që ky nuk është një grup aq i fortë sa ç’ishte ai i eliminatoreve të shkuara, ku kishim përballë dy skuadra shumë të forta të basketbollit evropian, si Mali i Zi dhe Gjeorgjia”, – ka thënë ai.
“Por, në të njëjtën kohë, askush të mos mendojë se kemi përballë dy kundërshtarë të lehtë, sepse si Holanda, ashtu edhe Austria, janë dy skuadra në rritje këto vitet e fundit”, – ka shtuar Konstandinides. Megjithatë, duke folur për Televizionin Shqiptar, qiprioti i stolit kuqezi, ka shprehur besimin për një paraqitje mjaft më të mirë sesa në Eliminatoret e shkuara.
“Loja gjithnjë në rritje që ne bëmë gjatë Eliminatoreve të fundit, ku Shqipëria gjeti edhe një fitore në parketin ndërkombëtar pas afro 10 vitesh, por edhe grupi i lojtarëve që kemi dispozicion, që dha shenja maturimi gjatë eliminatoreve të shkuara, më bëjnë optimist që, fillimisht, të synojmë fitoret në dy ndeshjet në fushën tonë, duke kërkuar, të paktën, vendin e dytë në grup”, – ka përfunduar ai. Ndeshjet e grupit B të grupit paraliminator të Botërorit 2019, luhen gjatë gushtit të vitit të ardhshëm.