AlbanianSport.com 31/08/2019 16:20
ASNN – “Axurrët” triumfojnë 108-62 në takimin e parë të grupit D, gjithçka drejtpërdrejt në RTSH. Në Kinë ka nisur Kampionati Botëror i Basketbollit për Meshkuj, i cili, sikundër çdo veprimtari madhore sportive, kombëtare apo ndërkombëtare, do të sillet për sportdashësit drejtpërdrejt nga Rrjeti i Radio-Televizionit Shqiptar. Dhe një nga ndeshjet e përcjella të shtunën nga transmetuesi publik, ka qenë dueli aziatiko-evropian midis Filipineve dhe Italisë.
Ndonëse një nga vendet e Azisë që bën përjashtim përsa i përket zhvillimit të basketbollit dhe nivelit të kampionatit atje, por edhe të përfaqësueses, Filipinet janë mundur thellë, 62-108, përballë njërës prej përfaqësueseve më të forta të koshit të kontinentit të vjetër. Në fakt, gjithçka është vendosur praktikisht që në 10-minutëshin e parë, aty ku “axurrët” i kanë kufizuar filipinasit në vetëm 8 pikë të shënuara, në njërën anë, ndërsa në anën tjetër, janë të treguar të papërmbajtshëm, duke shënuar plot 37 pikë.
Aziatikët janë munduar të reagojnë në 10-minutëshin e dytë, por italianët nuk lëshojnë, duke e fituar edhe atë 25-16 dhe duke shkuar në pushimin e madh të ndeshjes në kryesim, me shifrat 62-24. Italianët nuk lëshojnë as pas kthimit në parket, duke e fituar 10-minutëshin e 3-të 23-15 dhe duke e thelluar epërsinë në 85-39. Kjo e ka bërë 10-minutëshin e 4-t dhe të fundit, që është mbyllur në barazim 23-23, një formalitet dhe Italia merr kështu fitoren e parë në grupin D, që po i luan ndeshjet në qytetin e Foshanit.