AlbanianSport.com 08/07/2019 20:25
ASNN – 25-vjeçari që i udhëhoqi durrsakët drejt titullit “kampion”, në stol edhe për sezonin e ardhshëm. Melzin Lazimi është rikonfirmuar të enjten në postin e trajnerit të skuadrës së Goga Basket për sezonin e ardhshëm. Një gjë të tillë, klubi privat i Durrësit e ka bërë të ditur nëpërmjet një njoftimi të postuar në profilin e saj zyrtar në rrjetin social “Facebook”. Tanimë Lazimi ka detyrën e vështirë të mbrojtjes së titullit, ndërsa ka mundësi të synojë edhe trofeun e Superkupës, por edhe të Kupës së Shqipërisë.
Kampionia e Shqipërisë në basketboll për meshkuj, Goga Basket, ka rikonfirmuar të enjten Melzin Lazimin në postin e trajnerit të skuadrës për sezonin e ardhshëm. Një gjë të tillë, klubi privat i Durrësit e ka bërë të ditur nëpërmjet një njoftimi të postuar në profilin e saj zyrtar në rrjetin social “Facebook”. Melzin Lazimi iu bashkua Akademisë Sportive “Goga Basket” më 20 dhjetor të vitit të shkuar, duke zëvendësuar Bekim Abrazhdën në detyrën e trajnerit të skuadrës së Nën-18-vjeçarëve.
Në të njëjtën kohë, ai shërbeu si ndihmës i trajnerit të skuadrës së të rriturve, Nikola Milatoviçit. Por, me shkarkimin e këtij të fundit në fillim të shkurtit, pas dështimit në finalen e Kupës së Shqipërisë, përballë rivales bashkëqytetase, Teutës, Lazimi u promovua në detyrën e trajnerit të të rriturve, ndërsa vendin e tij tek skuadra e Nën-18-vjeçarëve e mori basketbollisti amerikan i Goga Basket, Grifin Rame.
25-vjeçari ka vijuar ta udhëheqë skuadrën e tij drejt vendit të parë në renditje në mbyllje të sezonit të rregullt, e më tej drejt triumfit në gjysmëfinale të sezonit për titull përballë Tiranës. Ndërkaq, në një duel epik prej 5 ndeshjesh, Goga Basket e drejtuar nga trajneri Melzin Lazimi ka ngadhënjyer me rezultatin e përgjithshëm 3-2 ndaj Teutës, të drejtuar madje nga ish-trajneri Milatoviç.
Ky ishte një triumf i jashtëzakonshëm për skuadrën private të Durrësit, në atë që ishte vetëm viti i dytë i ekzistencës së saj koshin shqiptar të meshkujve. Tanimë Lazimi ka detyrën e vështirë të mbrojtjes së titullit, ndërsa ka mundësi të synojë edhe trofeun e Superkupës, por edhe të Kupës së Shqipërisë.