AlbanianSport.com 26/11/2018 11:50
ASNN – Nikola Gjokoviç është përforcimi më i fundit i Goga Basket dhe rikthehet për një tjetër përvojë në Shqipëri. “Kam ardhur këtu nëpërmjet trajnerit Milatoviç, teksa gjysmën e parë të sezonit luajta te Ulqini në Mal të Zi dhe kam ardhur këtu tek Goga Basket për të provuar një tjetër nivel të basketbollit shqiptar”, – ka thënë ai.
29-vjeçari malazez e njeh mirë koshin shqiptar dhe shpreson ta përsërisë suksesin e arritur me Vllazninë. “Po, tek Vllaznia ka fituar dy tituj “kampion” dhe natyrisht kam kujtime të mira nga ajo periudhë, – ka theksuar Gjokoviçi. – Ndërsa këtu kam ardhur që ta ndihmoj këtë skuadër.”
“Dhe me stërvitje të vazhdueshme dhe përgatitje të vazhdueshme, do të shohim sesi do të na shkojë sezoni”, – ka shtuar basketbollisti 1 m e 91 cm i lartë, i cili ka luajtur në humbjen e papritur të Goga Basket në fundjavë me Tiranën, por beson se beteja kryesore është ajo e “play-off”-it final.
“I kam parë skuadrat e tjera dhe lojtarët që ata kanë dhe e di që në këtë betejë kemi përballë Teutë, Tiranën, Vllazninë, por edhe Partizanin, por gjithçka është e hapur dhe do të shohim deri në fund”, – ka përfunduar basketbollisti malazez i bregdetarëve, Nikola Gjokoviçi.
Goga Basket ndan vendin e dytë dhe të 3-të të renditjes me Teutën, me nga 12 pikë secila, një më pak sesa Partizani kryesues.