AlbanianSport.com 16/05/2020 18:25
ASNN – Diskutohet vazhdimi i sezonit, tek femrat janë pro 4-shes finale, meshkujt, të ndarë në mendim. Sikundër të gjithë sportet në vend edhe basketbolli i ka pezulluar të gjitha veprimtaritë e tij. Sidoqoftë, në kuadër të përpjekje për ta rinisur sezonin e ndërprerë në mesin e marsit, të enjten dhe të premten pasdite, presidenti i Federatës Shqiptare të Basketbollit, Avni Ponari, ka zhvilluar një takim “online” me përfaqësuesit e ekipeve të shoqatave pjesëmarrëse të përkatësisht Kategorisë së parë të Femrave dhe të Superligës së Meshkujve.
Sa u përket femrave, shumica e pjesëmarrësve të kësaj kategorie, ishin të gatshëm për të rifilluar në rast se situata lirohej nga autoritetet përkatëse dhe qeveria. Ata shprehën për të vazhduar kampionatin me grumbullim, duke qenë se tanimë në fazën që ka mbetur, kampionati e ka konsoliduar 4-shen e renditur më mirë dhe kampionati mund të përmbyllet edhe me një “4-she finale”, me dy ndeshje finale. Sa i takon diskutimit Superligës së meshkujve, ata hezituan të merrnin një vendim konkret duke qenë të dyzuar për shkak të dinamikës së objektivave që secili prej tyre ka.
U diskutua për gjendje lojtarësh, lojtarë të ikur nga Shqipëria të cilët përbëjnë një pjesë të mirë të ekipeve pretendente për titull, po ashtu dhe niveli i stërvitshmërisë dhe koha për rikuperim. Nuk u dhanë opsione konkrete lidhur me rifillimin për shkak të daljes së një vendimi nga qeveria, përkatësisht përgjigja nga Ministria e Shëndetësisë, e cila do të definojë më tej rifillimin ose dhe jo dhe modalitetet. Goga Basket, Vllaznia dhe Tirana anojnë më shumë në mbylljen që tani të kampionatit, jo vetëm për çështje të lojtarëve por edhe mungesës së tifozerive.
Ndërsa Teuta, Partizani dhe Tirana Eagles, presin vendimet, pse jo për të mbyllur në parket edicionin. Pas diskutimeve, duke qenë se pengesa kryesore është leja nga autoritetet shëndetësore përgjegjëse “Komisionit teknik i Vlerësimit të Ministrisë së Shëndetësisë, si edhe dalja e një protokolli zyrtar për rifillimin e aktivitetit sportiv në salla të mbyllura, për këtë qëllim iu ngarkua federatës të komunikojë me këto autoritete për të pasur një përgjigje konkrete lidhur avancimin e mëtejshëm për mbylljen në parket të këtij aktiviteti, si për meshkuj, ashtu edhe me femrat.