AlbanianSport.com 14/05/2020 18:25
ASNN – Kohë epidemie, seminari i kualifikimit të gjyqtarëve mbahet “online”. Morën pjesë 23 “bilbilë” të koshit, më 18 maj testi i radhës. Në kuadër të kualifikimit të mëtijshë, ditët e fundit është zhvilluar takim i gjyqtarëve të basketbollit në kuadër të projektit SCOD të Federatës Botërore të Basketbollit (FIBA). Për shkak të rrethanave të krijuar nga epidemia e virusit “Covid-19”, ky takim u zhvillua në platformën sociale “Zoom”.
Takimi u drejtua nga instruktori dhe vëzhguesi i FIBA-s dhe drejtuesi nga Sllovenia i projektit “SCOD” për Shqipërinë, Ales Kamnikar, Gjyqtari i FIBA-s dhe Instruktori i FIBA-s, Manuel Maconi nga Italia dhe Ervin Koçi, Gjyqtari shqiptar i FIBA-s, Instruktori i FIBA-s dhe Instruktori Kombëtar. Takimi u përshëndet nga Drejtori Ekzekutiv i FIBA Europë, Kamil Novak. Tematika e takimit ishte “Akti i gjuajtjes” dhe metodologjia ishte “Rregullorja Zyrtare e lojës nga FIBA”.
Takimi u shoqërua me video iIustruese për rastet dhe diskutimet, ndërsa nga 60 minuta të planifikuara, ai ka zgjatur 86 minuta, ndërsa në të kanë marrë pjesë 23 gjyqtarë të koshit shqiptar. Testi për gjyqtarët do të zhvillohet gjithashtu “online” më 18 maj, ndërsa një javë më pas do të zhvillohet takimi i radhës.