AlbanianSport.com 23/01/2024 19:00
ASNN – Luhen dy takimet e para, të mërkurën, Tirana-Penza, drejtpërdrejt (17:00) në RTSH Sport. Liga Unike e basketbollit ka nisur edicionin e 3-të të saj për femrat, teksa të martën janë luajtur dy ndeshjet e para të javës së parë të këtij sezoni. Veprimtaria mbarëkombëtare e basketbollit midis Shqipërisë dhe Kosovës, Liga Unike, ka nisur edicionin e 3-të të saj për femrat, teksa të martën janë luajtur dy ndeshjet e para të javës së parë të këtij sezoni.
Siç dihet, formula e këtij sezoni ndryshon, pasi tek femrat ajo zhvillohet në trajtën e një kampionati të rregullt, me sistem vajtje-ardhje, teksa 3 skuadrat që zunë vendin e parë në kampionatin e Shqipërisë dhe në atë të Kosovës, përballen nga dy herë me njëra-tjetrën, dhe në mbyllje të 10 javëve, zhvillohet edhe faza finale, në trajtën e një katërsheje finale, që do të mbahet në Prishtinë.
Ndërsa tek meshkujt do të zhvillohet përgjatë një jave në mars në qytetin e Vlorës një “8-she finale” me 4 skuadrat më të mira nga Shqipëria dhe Kosova. Dhe të martën janë luajtur në kryeqytetin e Shqipërisë dhe në atë Kosovës, takimet e para të femrave, aty ku përkatësisht Partizani ka pritur Prishtinën, ndërsa Flamurtari ka qenë mysafir në Prizren, për t’u përballur me Bashkimin.
Në takimin e zhvilluar në Tiranë, loja ka qenë e barazpeshuar, me të kuqet që e mbyllën gjysmën e parë në epërsi 41-36, por prishtinaset reaguan në gjysmën e dytë, duke përmbysur shifrat dhe duke fituar me rezultatin 65-63. Ndërkaq, në Prizren, Bashkimi vendas e ka vendosur që në gjysmën e parë supremacinë në duelin me Flamurtarin dhe, përtej përpjekjeve të vlonjateve në të dytën, e fiton gjithë ndeshjen me rezultatin 88-61.
Takimi i 3-të i javës së parë të Ligës Unike në basketboll për Femra, Tirana-Penza, luhet të mërkurën, duke nisur nga ora 17:00 dhe do të sillet për sportdashësit drejtpërdrejt në Rrjetin e Radio-Televizionit Shqiptar, në kanalin RTSH Sport.