AlbanianSport.com 31/01/2019 22:40
ASNN – Borova dhe Alibegaj shpalosin strategjitë, faza finale e Kupës, direkt në Rrjetin e RTSH-së. Kështu, faza finale e Kupës së Shqipërisë në basketboll, si për meshkuj, ashtu edhe për femra, do të vijë për sportdashësit drejtpërdrejt në Rrjetin e Radio-Televizionit Shqiptar, më 1 dhe 2 shkurt 2019. Një nga duelet më interesante në gjysmëfinalen e femrave ishte derbi i dy “Tiranave”.
Dhe dy trajnerët përkatës, Erdal Borova dhe Mirza Alibegaj, e shohin Kupën si nisje të mbarë për gjysmën e dytë të sezonit, ku fjalën e fundit do ta ketë “play-off”-i final. Ka qenë një nga çështjet e nxehta të këtij sezoni të koshit të femrave dhe, për kapriço të goglave të shortit, derbi i dy Tiranave është rikthyer në gjysmëfinalen e Kupës së Shqipërisë.
Megjithatë, si për trajnerin e Shoqatës së Klubit të Basketbollit Femra “Tirana”, Erdal Borova, ashtu edhe për homologen e tij te Shoqata e Basketbollit Femra “Tirana”, Mirza Alibegaj, ky nuk ishte një short i padëshiruar. E ndërkohë që Borova mbështetet tek ecuria e sezonit, Alibegaj beson tek specifika e Kupës, që është e ndryshme nga kampionati.
Të dy trajnerët e shohin Kupën si nisje të mbarë për gjysmën e dytë të sezonit, ku fjalën e fundit do ta ketë “play-off”-i final. Përtej ndasive të thella në kampin bardhblu të këtij sezoni, miqësia ka triumfuar edhe në seancat e fundit përgatitore në Sallën Sportive të Lojërave me Dorë “Feti Borova” në kryeqytet, ku të dy Tiranat po stërviten dhe ku do të zhvillohet edhe dy gjysmëfinalet dhe finalja.
Sikundër çdo veprimtari madhore të koshit shqiptar, edhe faza finale e Kupës së Shqipërisë, si për meshkuj, ashtu edhe për femra, do të vijë për sportdashësit drejtpërdrejt në Rrjetin e Radio-Televizionit Shqiptar, më 1 dhe 2 shkurt 2019.