AlbanianSport.com 02.06.2017 09:45
ASNN – Tri gara ndërkombëtare do të jenë në dispozicion të kampionit shqiptar të Evropës, Izmir Smajlaj, për t’u përgatitur për në Kampionatin Botëror të Atletikës, që zhvillohet në Londër. Kampioni i Evropës, por edhe i Ballkanit në kërcim së gjati në salla të mbyllura, ka konfirmuar pjesëmarrjen e tij në tri mitingje ndërkombëtare, duke e patur qershorin një muaj intensiv.
Kampioni shqiptar i Evropës, por edhe i Ballkanit në kërcim së gjati në salla të mbyllura, Izmir Smajlaj, ka konfirmuar pjesëmarrjen e tij në tri mitingje ndërkombëtare, duke e patur qershorin një muaj intensiv. Kështu, më 2 qershor 2017, shkodrani do të jetë i pranishëm dhe do të konkurrojë në një miting ndërkombëtar në Austri. Ndërkaq, vetëm 5 ditë më pas, më 7 qershor 2017, 24-vjeçari do të zhvendoset në Bosnjë-Hercegovinë, për ta mbyllur më 24 qershor 2017, në një tjetër garë ndërkombëtare në Maltë.
Smajlaj është duke u përgatitur, së bashku me Luiza Gegën, për në Kampionatin Botëror të Atletikës, që zhvillohet në Londër. Dhe në përgjithësi pritet një formë më e mirë e tij, ndërsa në Mitingun Ndërkombëtar të Elbasanit me 7.82 metra ishte sportisti më i mirë i asaj veprimtarie. Në garën e Kampionatit Evropian të Atletikës në Salla të Mbyllura, që është zhvilluar në ditët e para të marsit të këtij viti, Smajlaj ka shënuar një arritje historike për atletikën shqiptare.
Për të dytën herë brenda pak ditësh, talenti shqiptar, Izmir Smajlaj, është ngjitur në krye të podiumit, pasi është shpallur kampion i kontintetit, duke kërcyer plot 8 metra e 8 centimetra dhe duke marrë medaljen e artë. Dhe pasi ishte shpallur pak ditë më parë “kampion” i Ballkanit, Smajlaj ka bërë që në kryeqytetin e Serbisë, Beograd, të ngrihet lart flamuri kuqezi dhe të këndohet himni kombëtar.