AlbanianSport.com 27/03/2020 19:50
ASNN – Atletja dhe trajneri i saj, Stërmasi, vijojnë programin me ngarkesë të plotë në vendin afrikan. Atletja Luiza Gega dhe trajneri i saj, Taulant Stërmasi, ndodhen prej 10 ditësh në në Kenia, atje ku po zhvillojnë një fazë të dytë stërvitore, që supozohej të ishte në përgatitje për Lojërat Olimpike “Tokio 2020”, tanimë të shtyra. Në fakt, ata kanë arritur ta mbërrijnë në vendin afrikan, përkundër gjithë gjendjes së jashtëzakonshme të krijuar për shkak të shpërthimit të epidemisë së koronavirusit.
“Prej 10 ditësh ndodhemi në Iten të Kenias, – ka sqaruar trajneri Stërmasi për RTSH Sport nëpërmjet komunikimit elektronik. – Një grumbullim 6-javor i planifikuar kohë më parë. Sigurisht, që në një periudhë të tillë pandemie, ky është vendi më i përshtatshëm për të qenë larg koronavirusit, por edhe t’i jepet mundësia Luizës për t’u stërvitur në kushte optimale.”
Edhe pse Afrika është kontinenti më pak i prekur, si në të gjithë botën, edhe qeveria keniane ka marrë masa parandaluese për ndalimin e përhapjes së Covid-19. “Në rastin tonë, janë mbyllur stadiumet e licensuara dhe palestrat, – ka pohuar trajneri i Gegës. – Nuk lejohen grupe të mëdha që stërviten së bashku. Në fakt, kjo është një pjesë që na ndikon, por jo aq shumë sa ç’do të na ndikonte por të ishim aktualisht në Shqipëri.”
“Ka kufizime orari dhe këtu, por ato janë vetëm gjate orëve të mbrëmjes, të cilat nuk janë problem për ne për të plotësuar programin stërvitor”, – shtoi ai. Në fund, trajneri i atletes shqiptare ka folur edhe sa i përket ndikimit të shtyrjes së Lojërave Olimpike. “Tani që dhe Olimpiada e Tokios u shty për në 2021-shin, edhe objektivat na kane ndryshuar, por stërvitja mbetet e njëjta, – ka thënë Stërmasi.
“Duhet që çdo vit, Luiza të bëjë më mirë dhe kjo sigurisht do ta vendosë atë në pozicionet më të larta botërore”, – ka përfunduar trajneri Taulant Stërmasi. Luiza Gega po zhvillon fazë të dytë stërvitore në Kenia, pas asaj me një njëjtën gjatësi kohe që zhvilloi midis dhjetorit të vitit të shkuar dhe janarit të këtij viti.