AlbanianSport.com 27/09/2019 20:35
ASNN – Gega, në finalen e 3000 m me pengesa në Botërorin e Atletikës në Katar. Atletja kuqezi lufton në atë që ishte bateria më e fortë dhe kualifikohet me kohën e 10-të më të mirë në këtë Botëror.
Ndonëse pritej të ishte e vështirë, atletja kuqezi, Luiza Gega e cila përfaqëson Shqipërinë në Botërorin e Atletikës që nisi të premten në Doha të Katarit, u kualifikua për në finalen e garës së 3,000 m me pengesa.
Luiza Gega garoi në baterinë e dytë kualifikueseve të kësaj kategorie gare. Atletja shqiptare u rendit në vendin e 5-të në këtë bateri, me kohën 9 minuta 28 sekonda e 32 të qindtat.
Gega nuk regjistroi kohën e saj më të mirë, por e zhvilloi garën për të siguruar kualifikimin. Pavarësisht nga kjo ajo regjistroi kohën e 10 më të mirë të përgjithshme të kësaj gare dhe shkon kështu në finalen e madhe që do të zhvillohet në mbrëmjen e 30 shtatorit.