AlbanianSport.com 02/09/2019 16:30
ASNN – Atletja kuqezi ngjitet në podium në një garë të jashtëzakonshme të 2,000 m me pengesa. Atletja shqiptare, Luiza Gega, ka konkurruar të dielën në Mitingun “ISTAF” të Berlinit, që zhvillohet në kuadër të turit të garave të “World Challenge” të Federatës Botërore të Atletikës. Ajo ka mbërritur e 3-ta në finishin e garës së 2,000 metra me pengesa dhe koha e saj prej 6 minuta e 7 të dhjetat e sekondës premton mjaft për Botërorin e Dohas.
Luiza Gega vazhdon përgatitjet për pjesëmarrjen e saj në Botërorin e këtij viti, që mbahet në javën e 3-të të shtatorit në Doha të Katarit dhe atletja shqiptare ka konkurruar të dielën në Mitingun “ISTAF” të Berlinit, që zhvillohet në kuadër të turit të garave të “World Challenge” të Federatës Botërore të Atletikës (IAAF). Në fakt, ka qenë një garë e jashtëzakoshme ajo e 2,000 m me pengesa, e zhvilluar në pistën e mitikut “Olimpiashtadion”, pasi të 3 atletet që mbërritën të parat në finish, ishin dukshëm poshtë kohës më të mirë të vetë kësaj veprimtarie, por edhe kohës më të mirë të të gjithë vitit.
Gara e 2,000 m është një garë hibride, e cila nuk është pjesë e programit olimpik, por është një garë që mbart vlerësim për sistemin e ri të pikëzimit botëror të futur së fundmi në përdorim nga IAAF-i. Gega është shkëputur me grupin e kryesueseve pas një incidenti në xhiron e parë, duke vijuar ta ruajë hapin me to dhe duke mbërritur e 3-ta në finish. Koha e saj prej 6 minuta e 7 të dhjetat e sekondës ka qenë në fakt dy sekonda më e shpejtë se vetë rekordi i këtij mitingu dhe se koha më e mirë e vitit.
Shqiptarja ishte më tepër 7 sekonda pas vendit të parë dhe më tepër se 3 sekonda pas vendit të dytë, por ishte thuajse 7 më e shpejtë sesa ndjekësja më e afërt, vendi i 4-t. Më këtë paraqitje të saj, Luiza Gega ka fituar plot 1216 pikë olimpike, ndërsa ajo që ka gjithashtu rëndësi është fakti se koha e saj e arritur në garën e 2,000 m, i korrespondon një kohe prej 9 minutash, 11 sekondash dhe 29 të qindtash në garën e 3,000 m me pengesa, në të cilën Gega do të konkurrojë në Doha.
Kjo medalje e bronztë e Gegës në Berlin vjen vetëm pak ditë pasi ajo ka marrë medaljen e artë në garën e 3,000 m me pengesa në mitingun e Roveretos në Itali.