AlbanianSport.com 12/08/2018 22:35
ASNN – Vetëm 32 të qindtat e sekondës i kanë mohuar atletes shqiptare, Luiza Gega, podiumin në garën e 3,000 metrave me pengesa në Evropianin e Berlinit, që u mbyll të dielën. Gara e Gegës, sikundër i gjithë ky Evropian, u soll për sportdashësit drejtpërdrejt dhe ekskluzivisht nga Rrjeti i Radio-Televizionit Shqiptar. Ka qenë një betejë deri në fund me norvegjezen Grovdal, por pa arritur dot ta kalojë dhe kjo i ka kushtuar podiumin.
Në fakt, 29-vjeçarja shqiptare ka bërë një garë të mirë por rivaliteti ka qenë i madh, gjë që u dëshmuar edhe në finish. Atletja shqiptare ka qenë me 3-4 atletet e para që në nisje të garës, duke ruajtur ritmin me zviceranen Fabienë Shlumpf, e cila në 1,000 metrat e para ka kryesuar garën me kohën 3 minuta, 5 sekonda dhe 79 të qindtat. Kjo ecuri e garës vazhdon edhe për 1,000 metrat e tjera, ku ka qenë sërish zvicerania Fabienë Shlumpf, që ka kryesuar garën me kohën 6 minuta, 16 sekonda dhe 32 të qindtat.
Por ndërkohë, Luiza Gega ka mbetur në vendin e 4-t, me atleten norvegjeze të shkëputur në xhiron e fundit. Shtatshkurtëra shqiptare ka shtyrë deri në fund, duke e sfiduar Grovdalin, por pa arritur dot ta zbresë nga shkalla e fundit e podiumit. Megjithatë, ky vend i 4-t në Evropian është padyshim një arritje për atletikën shqiptare, përtej dëshirës për një vend në podium.