AlbanianSport.com 31/01/2021 17:55
ASNN – Atleti i kërcimit të gjati, rezultat të kënaqshëm dhe medalje ari në Mitingun austriak. Ka vuajtur një dëmtim gjatë vitit të shkuar, teksa është dashur t’i nënshtrohet edhe një ndërhyrjeje kirurgjikale, por duket se tanimë e ka lënë pas dëmtimin dhe premton që në 2021-shin të rigjejë formën e mirë.
E pikërisht për të provuar veten dhe formën në të cilën ndodhet, atleti Izmir Smajlaj ka marrë pjesë të shtunën në një garë të zhvilluar në Austri, ku ka marrë vendin e parë dhe medaljen e artë, duke kërcyer edhe 7 metra e 89 cm. Një rezultat i kënaqshëm ky, duke patur parasysh se kampioni shqiptar i kërcimit të gjati vinte pas dëmtimit e shkëputjes disamujore.
Paraqitjen e tij në garën e së shtunës Smajlaj e ka ndarë edhe në një postim në profilin e tij në rrjetet sociale, duke u shprehur i kënaqur me rezultatin e arritur. Atleti shkodran pritet të formojë, së bashku me Luiza Gegën e kualifikuar me normë, dyshja e atletikës shqiptare në Lojërat Olimpike “Tokio 2020”.