AlbanianSport.com 25.02.2017 18:45
ASNN – Kampionati Ballkanik i Atletikës në Salla të Mbyllura, që po zhvillohet në kryeqytetin e Serbisë, Beograd, ka sjellë një tjetër sukses së “Mbretëreshës së Sporteve” shqiptare.
Është pikërisht atleti premtues, Izmir Smajlaj ai që është kurorëzuar sot kampion i Gadishullit në disiplinën e kërcimit së gjati, duke arritur rezultatin 7 metra e 98 centimetra.
Kjo distancë, të cilët shkodrani e arriti pikërisht në kërcimin e fundit, atë të 6-tin, përbën edhe një rekord të ri kombëtar për kërcimin së gjati në salla të mbyllura. Sa i përket rekordit të mëparshëm, ka dy versione.
Federata Evropiane e Atletikës shkruan se rekordin e mëparshëm e mbante vetë Smajlaj, me 7 metra e 83 centimetra, por shtonte gjithashtu se ky rekord është vendosur më 8 shkurt 2017, në “Elbasan Arena”.
Me pak fjalë, ndonëse quhet në salla të mbyllura, ky rekord është vendosur në qiell të hapur. Ndërsa sipas buletinit të vitit 2016 të Federatës Shqiptare të Atletikës është 7 metra e 66 centimetra, vendosur nga Admir Bregu, më 25 shkurt 2008, në Athinë.
Duhet theksuar se 23-vjeçari i talentuar mban edhe rekordin e kërcimit së gjati në salla të hapura, me 8 metra e 3 centrimetra, si dhe të dy rekordet e kërcimit 3-hapësh, si në salla të mbyllura, me 15 metra e 53 centimentra, ashtu edhe në salla të hapura, me 16 metra e 30 centimenta.
Kjo garë e shkëlqyer e atletit shkodran premton mjaft edhe për Kampionatin Evropian të Sallave të Mbyllura, që do të zhvillohet pas një jave po në Beograd, ku Smajlaj do të garojë në të njëjtat kushte, por me kundërshtarë më të fortë.