AlbanianSport.com 11/08/2018 15:05
ASNN – Ajo batutë e komentatorit të rrjetit prestigjioz ndërkombëtar të transmetimeve sportive “Eurosport”, i cili teksa flet për Luiza Gegën kujton se shpesh asaj i është dashur të stërvitet nëpër rrugicat dhe stolat e parqeve të Tiranës ka rizgjuar edhe një herë realitetin e hidhur të sportit shqiptar. Ndërkohë që në Berlin po shkon drejt mbylljes Kampionati Evropian i Atletikës, mbretëresha shqiptare e sporteve e ka fituar Evropianin e saj, pavarsisht asaj që ndodhi me garën e Izmir Smajlajt në kërcim së gjati, por edhe se çfarë do të ndodhë të dielën me garën e Gegës.
Sepse dy sportistët shqiptarë kanë sfiduar gjasat duke arritur deri aty ku kanë arritur, deri aty ku nuk ka arritur asnjë sportist tjetër shqiptar më parë, thjesht dhe vetëm për meritë të tyre, për meritë të trajnerëve të tyre dhe familjarëve dhe dashamirësve. Komentatori i “Eurosport”-it ishte informuar që nënkampionia e Evropës në 3,000 metra me pengesa arriti të triumfojë në Amsterdam duke u stërvitur nëpër Kodrat e Liqenit Artificial teksa shikonte sesi shkallmohej e vetmja pistë me tartan që ndodhej dikur tek ish-Stadiumi Kombëtar në kryeqytet.
Por ai nuk e dinte edhe se Izmir Smajlajt shpesh i është dashur të shkojë drejt titullit të kampionit të Ballkanit dhe të Evropës në Salla të Mbyllura në kërcim së gjati, duke u stërvitur nëpër pedonalen e qytetit të Shkodrës. Komentatori i “Eurosport”-it nuk ka sesi ta dijë që të dy sportistët e talentuar duhet të bëjnë dy orë rrugë në ditë për të shkuar e për të bërë një seancë stërvitore në ditë në Elbasan. Se ndryshe nga kolegët e tyre evropianë dhe botërorë, ata nuk mund ta shndërrojnë suksesin e tyre sportiv në përfitim financiar, që së paku të konkurrojnë në arenën ndërkombëtare në kushte dinjitoze.
Gega dhe Smajlaj nuk mund ta bëjnë këtë sepse mungon një ligj i saktë për sportin, por edhe një ligj tjetër për sponsorizimet. Edhe pse, pas triumfit të tyre, janë të parët politikanët që nxitojnë t’i presin e të përfitojnë nga suksesi i atletëve. Falë Smajlajt dhe Gegës, Shqipëria ka një kampion dhe një nënkampione Evrope që nesër mund të bëhet edhe kampione. Por ajo që ata i japin Shqipërisë nuk pasqyrohet aspak në atë që Shqipëria i jep atyre dhe kjo është për të ardhur keq.