AlbanianSport.com 10/08/2018 17:35
ASNN – Nënkampionia e Evropës në 3,000 metra me pengesa, Luiza Gega, ka shkëlqyer në garën eliminatore të kësaj disipline, të mbajtur pak pas mesditës së të premtes në Berlin, atje ku po zhvillohet Kampionati Evropian. Në fakt, në prag të nisjes së kësaj gare, Gega ka qenë edhe me rezultatin e 3-të më të mirë në 3,000 metra me pengesa në Evropë, pikërisht me kohën 9’22”00, të cilën e kishte fiksuar në “Diamond Ligë”, në Romë, më 31 maj 2018.
Në baterinë e dytë eliminatore të zhvilluar në kryeqytetin gjerman, 29-vjeçarja nuk është sforcuar shumë, ndërsa ka kryesuar për disa xhiro, duke ia lënë më pass kryesimin zviceranes Fabienë Shlump, që ishte në përfundim dhe fituesja e baterisë së dytë eliminatore në 3,000 metra me pengesa për femra. 9 minuta, 33 sekonda e 11 të qindtat ishte koha e Luiza Gegës, që është e dyta në baterinë e dytë, por njëkohësisht dhe koha e dytë më e mirë e eliminatoreve.
Të dielën do të jetë edhe finalja e kësaj gare dhe shpresohet që do të ketë një tjetër medalje nga Luiza Gega, si dy vjet më parë në Amsterdam, kur do të shpallej nënkampione e Evropës. Duke folur për Rrjetin e Radio-Televizionit Shqiptar, atletja dhe trajneri i saj Taulant Stërmasi janë shprehur të kënaqur me këtë bateri eliminatore dhe tashmë e kanë hedhur vështrimin drejt finales së 12 gushtit.