AlbanianSport.com 16/06/2020 21:40
ASNN – Qëndrimit mëse 3-mujor në Kenia po i vjen fundi, shpresohet për kthimin së shpejti në Shqipëri. Atletja Luiza Gega dhe trajneri i saj, Taulant Stërmasi, kanë mbetur prej mëse 3 muajsh në skajin verilindor të Kenias, duke skanuar çdo mundësi për rikthimin në atdhe. Sipas një komunikimi elektronik që RTSH Sport ka patur me trajnerin Stërmasi, ekziston një mundësi që ky kalvar të marrë fund brenda këtyre ditëve të ardhshme.
Kështu, duket se më në fund po shfaqet dritë në fund të tunelit edhe për atleten shqiptare, Luiza Gega dhe trajnerin e saj, Taulant Stërmasi, të cilët ndodhen prej mëse 3 muajsh në Kenia. Në fakt, sportistja kuqezi dhe trajneri i saj udhëtuan drejt vendit afrikan, në mesin e muajit mars, duke synuar të shfrytëzojnë periudhën stërvitore atje për t’u përgatitur sa më mirë për Olimpiadën e Tokios. Por dy javë më pas, Olimpiada u shty dhe kjo prishi gjithçka sa i përket planeve të Gegës dhe trajnerit të saj.
Për më tepër, intensifikimi i epidemisë së shkaktuar nga virusi “Covid-19”, çoi në bllokimin e fluturimeve ndërkombëtare dhe kështu ra edhe data 29 prill, që ishte planifikuar si datë kthimi për sportisten dhe trajnerin e saj. Dhe kështu, në mungesë edhe të koordinimit nëpërmjet ambasadave të Shqipërisë nëpër vendet afrikane, Gega dhe Stërmasi kanë mbetur në skajin verilindor të Kenias, duke skanuar çdo mundësi për rikthimin në atdhe.
Sipas një komunikimi elektronik që RTSH Sport ka patur me trajnerin Stërmasi, ekziston një mundësi që ky kalvar të marrë fund brenda këtyre ditëve të ardhshme. Bëhet fjalë për një fluturim riatdhesimi që bëhet nga Koreja e Jugut dhe që do ta sjellë atleten dhe trajnerin e saj nga Najrobi në Dubai. Paskëtaj, shpresohet për një fluturim tjetër ndërlidhës nga Dubai në Athinë ose Stamboll, çdo ta sillte Stërmasin dhe Gegën gradualisht drejt Shqipërisë.
Natyrisht, problem mbeten kostot e këtij udhëtimi, që shkojnë mbi 1,800 Euro për person, ndërsa trajneri ka sqaruar se të gjitha kostot e këtij qëndrimi të stërzgjatur në vendin afrikan kanë kapur shifrën e mbi 20,000 Eurove. Stërmasi ka shprehur edhe keqardhjen që, përtej gjithë këtij kalvari, sportisti e tij po kalon një formë të shkëlqyer dhe do të kishte rezultate shumë të mira nëse Olimpiada e Tokios do të mbahej këtë vit e nuk do të shtyhej. Megjithatë, ai shpreson që gjendja të normalizohet sa më shpejt dhe gradualisht të nisin edhe garat ndërkombëtare.