AlbanianSport.com 11.02.2017 10:30
ASNN – Nënkampionia shqiptare e Evropës në garën e 3,000 metrave me pengesa, Luiza Gega, ia ka dalë të premten në mbrëmje në Francë të thyejë rekordin kombëtar të një tjetër gare, asaj të 3,000 metrave. Pas 21 vjetësh Gega rrëzon rekordin e Anila Kasatit në 3,000 metra në salla të mbyllura me afro 37 sekonda.
Luiza Gega, nënkampionia e Evropës në 3000 metra me pengesa për garat e verës, në garën e saj të parë për vitin 2017 ka dalë e treta në një miting ndërkombëtar në Francë. Një miting që i është përkushtuar vetëm garave për femra, ndërsa Gega ka vetëm 4 ditë që ka zbritur nga periudha përgatitore në Iten të Kenias.
Mes 12 atleteve keniane, etiopiane, marokene, franceze dhe rumune, Gega jo vetëm që ka mbajtur mirë ritmin, por ka dalë e treta. Koha e saj e re është 8 minuta, 52 sekonda e 53 të qindtat, që është rekord i ri kombëtar në 3,000 metra për salla të mbyllura, ndërsa pas 21 vjetësh bie rekordi që mbante Anila Kasati.
Kjo atlete më 1996-ën në Athinë e kishte bërë garën e 3,000 metrave me kohën 9’29”83. Më 14 shkurt 2017, Luiza Gega do të jetë në pistë në një tjetër miting ndërkombëtar në Ostrava të Republikës Çeke, por, këtë herë në vrapimin e 1,500 metrave.