AlbanianSport.com 07.03.2017 16:10
ASNN – Kampioni i saposhpallur i Ballkanit dhe i Evropës në kërcim së gjati, Izmir Smajlaj, është pritur sot në Bashkinë e Shkodrës nga kryetarja e saj, Voltana Ademi. Duke vlerësuar arritjen e dyfishtë të atletit, tanimë kampion i Ballkanit dhe i Evropës, kryebashkiakja ka premtuar mbështetje për rezultate edhe më të larta.
Kryetarja e Bashkisë së Shkodrës Voltana Ademi priti paraditen e së martës në zyrën e saj, atletin kampion Izmir Smajlaj dhe trajnerin e tij Vildan Tufi. Duke vlerësuar arritjen e dyfishtë të atletit, tanimë kampion i Ballkanit dhe i Evropës në kërcim së gjati, kryebashkiakja ka premtuar mbështetje.
Një mbështetje që për vetë atletin është e rëndësishme për rezultatet e së ardhmes. Ndërsa trajneri i Smajlajt e ka cilësuar këtë arritje si një kulm historik. Përpos pritjes në Bashkinë e Shkodrës, qeverisja vendore pritet të diskutojë në Këshillin Bashkiak të Shkodrës dekorimin një çmim të veçantë nderi dhe shpërblimin financiar për kampionin e Evropës Izmir Smajlaj dhe trajnerin e tij, Vildan Tufi.