AlbanianSport.com 10/02/2024 21:45
ASNN – Leverkuseni bën Bajernin për “aspirina”. E mund 3-0 në shtëpi dhe shkëputet +5 pikë në krye të renditjes së Bundesligës. Bajer Leverkusen vazhdon të mbetet “Hirushja” e futbollit gjerman, pasi të shtunën ka mposhtur Bajernin 3-0 në ndeshjen e madhe, që është edhe sinjali i parë drejt titullit për skuadrën e trajnerit Ksabi Alonso. Triumf i Bajer Leverkusenit dhe dështim i Bajernit të Mynihut.
Kështu mund të cilësohet ajo që ndodhi të shtunën, teksa skuadra e Ksabi Alonsos mbizotëro në ndeshjen e madhe dhe tashmë bëhet zot i fatit të saj 13 javë para përfundimit të sezonit. Stanisiçi theu ngërçin dhe më pas në pjesën e dytë vendasit blinduan fitoren me anë të Grimaldos dhe Frimpongut.
Ksabi Alonso shijon kështu festën e “BayArena” dhe Bajer Leverkuseni duhet të konsiderohet tashmë një kandidat shumë serioz për të fituar Bundesligën. Sfida ndaj Bajernit të Mynihut nuk ka përfunduar ende, por Virtz dhe shokët e tij tronditën kampionatin gjerman në në mbrëmjen e së shtunës, duke u shkëputur 5 pikë në krye të renditjes.
Bavarezëve, të cilët do të përballen këtë javë me Lacion në Ligën e Kampioneve, duket se po u shterojnë energjitë dhe idetë, ndërsa edhe stoli i Tomas Tuhelit mund të fillojë të lëkundet. Skuadra e Alonsos shfrytëzoi në mënyrë plotësisht dobësitë e kundërshtarëve dhe e meritoi 3-0.
Goli i Stanisiçit, një lojtar në pronësi të Bajernit, ndoshta përfaqëson një shenjë fati. Në pjesën e dytë Leverkuseni vazhdoi të luante me idetë e veta dhe perla e Grimaldos dhe goli i Frimpongut bëjnë historinë e një ndeshjeje që mund të shënojë, në fakt fundin e një epoke.