AlbanianSport.com 05/07/2020 22:25
ASNN – Apolonia ka siguruar edhe matematikisht ngjitjen Kategorinë Superiore sezonin e ardhshëm, pasi ka ngadhënjyer 2-1 në derbin e Myzeqesë me Lushnjën. Skuadra fierake, e drejtuar nga trajneri Artan Merxhushi, rikthehet pas 4 sezonesh midis më të mirëve. Pas Kastriotit në grupin A, apo grupin e Veriut, edhe grupin B, grupi i Jugut, ka përcaktuar skuadrën që do të ngjitet automatikisht në Kategorinë Superiore sezonin e ardhshëm dhe ajo është Apolonia.
Fierakët e kanë fituar 2-1 përballjen e drejtpërdrejtë, të luajtur në Lushnjë me skuadrën vendase, duke siguruar kështu edhe matematikisht edhe ngjitjen në nivelin më të lartë të Kampionatit Kombëtar të Futbollit. Në fakt, takimi që u soll për sportdashësit drejtpërdrejt nga Rrjeti i Radio-Televizionit Shqiptar, në kanalin RTSH Sport, ka nisur me 23 minuta vonesë, për shkak të mungesës fillimisht të zjarrfikëses, e më pas të ambulancës.
Sidoqoftë, ndeshja nisur më në fund dhe pjesa e parë do të mbyllej me epërsinë minimale të miqve, që gjetën rrugën e rrjetës pas 25 minutash lojë, pas një goditjeje të zgjuar me kokë të Gjatës, brenda zonës. Në pjesën e dytë, në minutën e 64-t, Mihana do të finalizojë me gjakftohtësi një sulm të të tijve, duke dyfishuar kështu epërsinë e Apolonisë. Lushnja do të reagojë dhe 9 minuta më pas, Pepa do të shkurtojë largësinë e golave për vendasit.
Vendasit do të këmbëngulin në çerekorën e mbetur dhe në minutat shtesë, por Apolonia nuk lëshon dhe skuadra e drejtuar nga trajneri Artan Merxhushi fiton me shifrat 2-1. Fierakët ngjiten në kuotën e 49 pikëve dhe, kur kanë mbetur edhe dy ndeshje për t’u luajtur deri në mbyllje të sezonit, ka 7 pikë më tepër sesa Pogradeci i vendit të dytë, që në takimin tjetër të nën-grupit të “play-off”-it të grupit të Jugut, mposhti në fushën e vet 2-0 Besën.