AlbanianSport.com 21/04/2019 23:00
ASNN – Mbyllet java e 24-t e Kategorisë së Parë, edhe Elbasani merr 3 pikët në Pogradec. Rrjeti i Radio-Televizionit Shqiptar ka sjellë për sportdashësit drejtpërdrejt të dielën një prej prej dy ndeshjeve të fundit të javës së 24-t të Kategorisë së Parë. Apolonia ka fituar thellë, 4-1 në Berat ndaj Tomorit vendas, ndërsa Elbasani ka triumfuar minimalisht në Pogradec përballë vendasve, në takimet e vlefshme për grupin B.
Kategoria e Parë e Kampionatit Kombëtar të Futbollit ka luajtur të shtunën dhe të dielën ndeshjet e javës së saj të 24-t në të dy grupet e saj. Dhe pasi ka sjellë të shtunën për sportdashësit drejtpërdrejt takimin e vlefshëm për zonën e “play-off”-it të grupit A, apo grupit të Veriut, midis Vllaznisë dhe Korabit, që u fitua nga shkodranët me një gol të vetëm, të dielën Rrjeti i Radio-Televizionit Shqiptar ka sjellë edhe përballjen Tomori-Apolonia.
Ky takim, i vlefshëm për zonën e “play-out”-it të grupit B, apo grupit të Jugut, ka folur vetëm për miqtë, që gjetën epërsinë pas vetëm 15 minutash, me anë të Gjatës. 6 minuta më pas, fierakët dyfishojnë shifrat me anë të Nakos. Megjithatë, Tomori do të reagojë dhe do të shkurtojë largësinë e golave në minutën e 32-të, me anë të Becit. Me shifrat 2-1 në favor të miqve do të mbyllet pjesa e parë, ndërsa, përkundër pritshmërive për një reagim të skuadrës vendase, është Apolonia që gjen edhe dy gola të tjerë në pjesën e dytë.
Redon Mihana do të shënojë golin e 3-të të fierakëve në këtë ndeshje, duke realizuar në minutën e 57-të. Po ky lojtar do të shënojë edhe golin e 4-t të Apolonisë dhe të dytin personal në këtë ndeshje, në minutën e parafundit të kohës së rregullt. Apolonia mposht kështu Tomorin 4-1 në Berat, ndërsa po për zonën e “play-out”-it, Pogradeci prit në fushën e vet Elbasanin, në takimin u fitua nga miqtë me një gol të Ferhatit në pjesën e dytë.