AlbanianSport.com 15.01.2017 14:25
ASNN – Federata Shqiptare e Aeronautikës do të organizojë Kampionatin Botëror të këtij sporti. Në muajin maj, në qytetin e Vlorës, do të vijnë sportistë nga mbi 100 shtete të botës për të konkurruar. Kjo veprimtari do t’i shërbejë Shqipërisë jo vetëm nga ana sportive por edhe për promovimin turistik të vendit.
Për herë të parë në Shqipëri do të zhvillohet një Kampionat Botëror. Bëhet fjalë për sportin e aeronautikës. Mbi 100 shtete do të sjellin konkurrentët e tyre në Shqipëri. Më shumë detaje rreth këtij botërori, për televizionin shqiptar, ka dhënë Sekretari i Përgjithshëm i Federatës Shqiptare të Aeronautikës, Artion Vreto.
Për organizimin sa më mirë të këtij Botërori, Federata e Aeronautikës ka kërkuar edhe ndihmën e qeverisë shqiptare dhe ministrive të saj. Pikërisht në Shtutgart, teksa po zhvillohet Panairi i Agro-Turizmit shqiptar, ministrja Milva Ekonomi ka pasqyruar edhe projektin për Botërorin e Aeronautikës, që do të zhvillohet në muajin maj në Shqipëri.