AlbanianSport.com 31.01.2017 07:55
ASNN – Kampionati i 9-të Botëror i Fluturimeve të Lira, në disiplinën e precizionit, do të zhvillohet në Shqipëri. Kjo është bërë e mundur në saj të përpjekjeve të Federatës Shqiptare të Sporteve Ajrore, e cila me anë të projektit të paraqitur ka fituar garën me Kinën dhe Gjermaninë.
Mbi 100 pjesëmarrës nga 50 shtete të botës do të vijnë në Vlorë, qytet ku do të zhvillohet Botërori. Kështu, për herë të parë Shqipëria do të organizojë një Kampionat Botëror dhe bëhet fjalë për sportin e aeronautikës. Për të fituar këtë të drejtë, federata jonë mundi dy konkurrentë të fortë, si Kina dhe Gjermania.
Kjo veprimtari do të zhvillohet në Vlorë, nga data 5, deri më 15 maj. Në të do të marrin pjesë mbi 50 shtete, 200 pilotë konkurrues e 800 pjesëmarrës shoqërues. Për zhvillimin sa më mirë të kësaj veprimtarie do të kontribuojnë Ministria e Arsimit dhe Sportit, ajo e Kulturës, ajo e Turizmit, ajo e Mbrojtjes dhe ajo e Brendshme.
Është zgjedhur Vlora, si qytet ku do të zhvillohen garat e këtij botërori, sepse pozicioni gjeografik dhe erërat me drejtim veri-perëndim janë ideale për pilotët. Infrastruktura e Vlorës është e përshtatshme për pistat e uljes së konkurrentëve, hotelet etj. Të gjitha këto do të krijojnë edhe një imazh të mrekullueshëm turistik për bregdetin e mrekullueshëm të Vlorës, tek të gjithë të pranishmit.