AlbanianSport.com 04.05.2017 15:15
ASNN – Midis qindra pjesëmarrësve në Botërorin e aeronautikës që do të zhvillohet në Vlorë, ndodhet edhe një 17-vjeçare nga Rusia. Ajo merr pjesë për herë të parë në një veprimtari ndërkombëtar dhe për Televizionin Shqiptar, tregon emocionet e garës si dhe përshtypjet e qytetit bregdetar. Për herë të parë në historinë e sportit shqiptar, në Shqipëri do të zhvillohet një Kampionati i 9-të Botëror i Aeronautikës, një veprimtari madhore që do të përfshijë 150 sportiste nga 28 shtete të botës.
Vlora, qyteti bregdetar do të mirëpresë të gjithë të ftuarit nga data 5, deri më 14 maj 2017. Pjesa më e madhe e pilotëve kanë ardhur tashmë dhe janë duke zhvilluar prova për të qenë sa më rezultativë në këtë veprimtari. Midis pjesëmarrësve është edhe një vajzë 17 vjeçare që vjen nga Rusia. “Jam 17 vjeç dhe për mua është hera e parë që marr pjesë në një Botëror, – ka rrëfyer ajo. – E kam filluar fluturimin që kur kam qenë fëmijë nën shoqërinë e babait tim, edhe ai i apasionuar pas fluturimit.”
“Fluturimi është sikur të përjetosh një ëndërr, – vijon pilotja 17-vjeçare ruse. – Ndërsa Vlora po më pëlqen shumë, ka shumë paqe këtu.” Ndërsa nga Anglia ka ardhur edhe një pilot me përvojë, i cili synon vendin e parë në këtë botëror. “Jam nga Anglia dhe është hera e parë që vij në Vlorë, – ka thënë ai. – Këtu është gjithçka shumë, shumë e bukur, njerëzit janë miqësorë. Ndërsa për shqiptarët konkurrentë në aeronautikë, mund të them se janë shumë të mirë në këtë sport.
“Kjo, pasi i kam takuar shumë prej tyre në veprimtari në vende të tjera, – ka vijuar anglezi. – Ky është një sport i shëndetshëm, dhe unë ju them të gjithëve, bashkohuni edhe ju garës. Besoj se pilotët anglezë do të renditen në vendet e nderit. Nëse nuk dalin të parët me siguri të dytët do të jenë patjetër.” Ndërsa një konkurrent nga Bjellorusia është mrekulluar me atë çka i ka ofruar qyteti bregdetar. “Vlora ka një klimë të adhurueshme, është mrekulli të jesh këtu, kam ardhur enkas sepse me pëlqen të jem këtu”, – ka thënë ai.
Këto ditë janë duke ardhur pilotët nga Azia, të cilët janë të shumtë në numër dhe që do të kompletojnë kështu të gjithë numrin e përcaktuar nga organizatorët për pjesëmarrjen në Botëror.