AlbanianSport.com 13.06.2015 22:00
ASNN – Fitore historike e Shqipërisë. Kuqezinjtë e De Biazit kanë mundur 1-0 Francën, në ndeshjen miqësore të zhvilluar në Stadiumin “Elbasan Arena”. Ka mjaftuar një gol i realizuar nga Ergys Kaçe që gjithë Shqipëria t’i gëzohet fitores së futbollistëve të saj ndaj Francës së madhe. Një fitore e jashtëzakonshme e Shqipërisë 1-0 ndaj Francës ka bërë të gëzojë një komb të tërë. Kuqezinjtë e trajnerit Xhovani De Biazi arrijnë të mposhtin përfaqësuesen franceze të mbushur me yje.
Për herë të parë në historikun e përballjeve midis këtyre dy kombëtareve, Shqipëria siguron fitoren. Nën vështrimin e mijëra tifozëve në stadium dhe nga ekranet e televizorëve, si dhe nën gëzhgimin e menaxherëve të ndryshëm të futbollit, kuqezinjtë e nisin takimin me Francën mjaft mirë. Në minutën e 25-të, Lenjani krijon rrezikun e parë në portën e miqve. Roshi kroson bukur nga krahu i djathtë i sulmit dhe Lenjani, brenda zonës bën më të vështirën teksa e nxjerr topin jashtë.
Pas 3 minutash, vjen një vertikalizim i bukur i Memushajt dhe Lenjani, i vetëm përballë portierit mik, Lorisit, nuk shënon. Duhej të vinte minuta e 42-të, që të ndryshonin shifrat e takimit të fiksuara në 0-0. Lenjani pengohet dhe gjyqtari turk jep goditje dënimi në kufijtë zonës për Shqiprinë. Gjuan mjeshtërisht Ergys Kaçe dhe topi përfundon në trekëndëshsin e portës së Lorisit. 1-0 për Shqipërinë. Me këtë rezultat do të mbyllen 45 minutat e pjesës së parë.
Në pjesën e dytë, De Biazi bën disa ndërrime duke iu dhënë mundësi edhe lojtarëve të tjerë që të aktivizohen. Në të 66-n minutë, Armando Sadiku gjuan rrezikshëm e topi kalon fare pranë portës së Lorisit. Dy minuta më pas, kundërpërgjigjet Franca, Valbuena godet fort nga larg, por pret Berisha. Minuta e 75-të dhe kapiteni Cana pengon Pogbanë dhe goditje dënimi për francezët. Gjuan Valbuena dhe Berisha grushton në mënyrë të shkëlqyer.
Minutat e fundit flasin për miqtë teksa Pogba gjuan rrezikshëm me kokë brenda zonës por Berisha pret në pozicion. Kështu Shqipëria arrin të mposhtë Francën edhe pse në një ndeshje miqësore. Tashmë kuqezinjtë do të përgatiten për ndeshjet e rëndësishme kualifikuese të shtatorit. Por më parë presin me ankth vendimin e KAS-it për ndeshjen Serbi-Shqipëri.