Gjergj Vyshka 05.03.2015 22:05
Shpërthejnë për krutanët Bakiu e Stiven, por mbrojtja e Rustamit vazhdon të “fusë ujë” në fitoren 5-3 ndaj Veleçikut. Koplikasit të dorëzuar, ndërsa trajneri Ligata e pranon që e kanë prerë gjysmën e biletës. Duke folur pas ndeshjes, trajneri i Kastriotit, Shkëlzen Rustami, e ka cilësuar këtë fitore si mjaft jetësore.
“Sigurisht që kishim nevojë për këtë fitore, sepse skuadra vinte nga një goditje psikologjike që kishte marrë në ndeshjen me Adën e Velipojës, teksa nga një epërsi 2-0 shkoi më pas në disavantazhin 2-3, – ka thënë ai. – Sot skuadra luajti më mirë, sepse shënoi dhe më pas e administroi atë që kishte.”
“Shiko, problemi i mbrojtjes nuk është vetëm i lojtarëve të atij reparti, por i gjithë skuadrës. Pasi gjithçka nis që nga mesfusha gabimi për të shkuar më pas në portë. Megjithatë ia dolëm, shpresojmë që kështu të vazhdojmë të qëndrojmë në Kategorinë e Parë”, – i Kastriotit, Shkëlzen Rustami.
Ndërkaq, homologu i tij koplikas, trajneri i Veleçikut, E. Ligata, e pranon se skuadra e tij është “me një këmbë në Kategorinë e Dytë”. “Ishte një humbje që na demoralizon më shumë, sepse kështu kemi prerë gjysmën e biletës për të qenë sezonin e ardhshëm në Kategorinë e Dytë”, – ka pohuar ai.
“Jemi goditur në atë repart që unë kisha më tepër besim, siç ishte mbrojtja. Është e sigurt që nëse do të kishin shfrytëzuar rastet e shënimit në fillimin e ndeshjes e me një avantazh 2-0, atëherë gjërat do të ishin më të lehta. Mirëpo jemi goditur e deri në fund të kampionati do të vazhdojmë të respektojmë garën”, – ka përfunduar Ligata.