AlbanianSport.com 10.10.2014 09:15
ASNN – Vazhdon skandali i biletave në Elbasan. Sipas asaj që raporton e përditshmja e mirënjohur sportive shqiptare “Sport Ekspres” në faqen e saj të parë, por edhe në brendësi, edhe ditën e enjte nuk ka të tilla në sportel për qytetarët. “Është e turpshme pasi vazhdon telenovela e mospatjes së biletave në Elbasan, – shkruan “Sport Ekspres”. – Dhe skandali tashmë është bërë dhe më i madh sepse dhe ditën e enjte radhët e gjata kanë qenë përsëri të pranishme. Në orët e para të mëngjesit shumë qytetarë elbasanas kanë ardhur nga zona përreth për të blerë bileta për kombëtaren.”
“Por për fat të keq përsëri nuk janë ndarë dhe jo vetëm kaq, por atyre nuk u është dhënë asnjë shpjegim, – vijon raportimi i të përditshmes sportive në fjalë. – Të lodhur nga rruga apo nga pritja e gjatë, sepse kishte nga ata që kishin zënë radhë dhe që flinin aty, shumë njerëz nuk kanë duruar më dhe kanë vazhduar protestat kundra FSHF-së duke e bërë atë fajtore kryesore, pasi sipas tyre nuk di të menaxhojë situatën dhe që e ka gjendjen deri në këtë pikë. Mësohet se sporteli është hapur vetëm një moment dhe janë shitur gjithsej pesë bileta me numër dhe më pas është mbyllur me shpejtësi.”
“Pra, kjo është një tallje me qytetarët që duan të vijnë në stadium për të mbështetur Shqipërinë, duke sakrifikuar dhe kursimet, sepse janë të gatshëm të blejnë bileta sipas çmimeve që kanë, por ato sërish nuk po dalin në shitje dhe ndeshja po afron, – thekson “Sport Ekspres”. – Sakaq, personat e shumtë që rrinin në radhë treguan se teksa prisnin të hapej sporteli, nga mbrapa hynin të tjerë me miq dhe merrnin bileta, të cilat dhe ato kanë qenë të pakta në numër. “Nuk e kuptojmë, – thonë ata, – pasi për të blerë një biletë me lekët tona duhet të futësh miq, gjë kjo që është absurde dhe e pakuptimtë, pasi asnjë nuk flet dhe të gjithë heshtin nga paturpësia që po bëhet në Elbasan.”
“Të jesh në qytetin tënd dhe ta kesh ndjekur kombëtaren gjithmonë dhe vjen puna nuk gjen biletë… Çfarë mund t’i thoni kësaj, pra kush i ka marrë biletat e ndeshjes, sepse ato nuk u zhdukën?”. “Duhet të merren masat, – thotë një tjetër, – dhe të gjendet një zgjidhje, pasi në të kundërt do të shkojmë të ulemi përpara stadiumit për të bllokuar atë dhe ndeshjen e së shtunës, sepse nuk kemi zgjidhje tjetër”. Jemi munduar të kontaktojmë me drejtuesit e FSHF-së që merret me biletat, por nuk na e kanë hapur telefonin po ashtu dhe drejtuesit e tjerë të stadiumit që tregojnë dhe një herë se nuk kujtohen të informojnë mediat dhe u shmangen atyre.”
“Njerëzit do të qëndrojnë në radhë dhe nuk do të dorëzohen dhe pasdite do të jenë të pranishëm në sportelin e teatrit “Skampa” që është dhe pika e vetme ku do shiten biletat. Mësohet që sportelet janë hapur të enjten në të dyja qytetet teksa FSHF-ja ka nxjerrë për momentin një numër të reduktuar biletash, nisur dhe nga kërkesat e shumta nga tifozët anembanë vendit, të cilat kanë qenë në mbështetje të kombëtares shqiptare në çdo edicion. Megjithatë, kërkesat për një biletë në debutimin zyrtar në “Elbasan Arena” janë shumë herë më të mëdha sesa vetë kapaciteti i stadiumit, përfundon raportimin e saj e përditshmja e mirënjohur sportive shqiptare “Sport Ekspres”.