AlbanianSport.com 22/01/2020 16:05
ASNN – Kategoria superiore vijon takimet e javës së 18-të. Pas 3 ndeshjeve të para të martën, të mërkurën luhen dy takimet e fundit. Ndërkohë, sot pasdreke është luajtur ndeshja e 4-t e javës së 18-të të Kategorisë Superiore dhe përballja midis Luftëtarit dhe Kukësit, e luajtur në Gjirokastër është mbyllur me rezultatin e bardhë 0-0.
Në pjesën e parë, Luftëtarit iu anulua edhe një gol. 3 ndeshjet e para të kësaj jave janë luajtur të martën dhe, pasdreke, në takimin e parë të Superiores për 2020-ën, Vllaznia ka mposhtur në fushën e vet Flamurtarin, me rezultatin 2-0, me nga një gol të shënuar për secilën pjesë loje.
Ndërkohë, në mbrëmje, Laçi ia ka dalë ta mundë Teutën në Durrës me një gol të vetëm, duke korrur fitoren e 8-të të këtij sezoni. Kurse në Korçë, Skënderbeu ka shtangur kampionen në fuqi, Partizanin, duke e mundur me shifrat 3-2, në takimin që ka parë të kuqtë kryeqytetas të luajnë me 10 lojtarë për gjithë pjesën e dytë.
Por skuadra e trajnerit italian, Adolfo Sormani, i cili debutoi kështu me një humbje në këtë rikthim të tij në stolin e të kuqve kryeqytetas, pati edhe dy 11-metërsh të dhënë në favor të saj, njërin prej të cilëve e shpërdoroi.