AlbanianSport.com 10/10/2018 18:40
ASNN – Papa Masata Diak do të hetohet për korrupsion. Kështu është është shprehur Presidenti i Komitetit Olimpik Ndërkombëtar (IOC), Tomas Bah. Diaku, djali i ish-Presidentit të Federatës Ndërkombëtare të Atletikës (IAAF), dyshohet të jetë një hallkë kyçe në një pakt të korrupsionit me të cilin babai i tij, Laminë Diak, u hetua disa herë në Francë. Me vendbanim në Dakar, ai asnjëherë nuk arriti të dëshmojë përpara drejtësisë franceze.
“Unë jam në kontakt me Presidentin aktual të IAAF-it, Lordin Sebastian Koe dhe para disa kohësh kemi kërkuar bashkëpunim me Senegalin për të bërë hetime”, – tha Bahu në një konferencë për shtyp pas seancës së 133 të IOC-së në Buenos Aires. Me këtë rast, Senegali u caktua të organizonte Lojërat Olimpike Rinore të vitit 2022, ku i pranishëm ishte edhe presidenti i vendit afrikan, Maki Soll.
“Senegali na siguroi disa muaj më parë se nëse autoritetet franceze duan të hetojnë Papa Masata Diakun, ata mund të shkojnë në Senegal dhe pastaj të jenë në dispozicion të autoriteteve franceze”, – shtoi Bahu. Në mes të shtatorit, Lamine Diak, ish-kreu i atletikës botërore dhe ish-anëtar i IOC, u akuzua në Francë në një rast të hetuar mbi një sistem të pretenduar të korrupsionit për të mbuluar rastet e dopingut në Rusi.
Ai gjithashtu dyshohet se ka përfituar nëpërmjet djalit të tij shuma të mëdha me të drejtat televizive dhe sponsorizimet. Atë e bir janë gjithashtu nën hetime në Francë dhe në Brazil, sepse dyshohen për korrupsion në mënyrën e dhënies së të të drejtës së organizimit të Lojërave Olimpike Verore të 2016 në Rio de Zhaneiro. Drejtësia franceze ka hapur një çështje edhe në fitimin e të drejtës së Lojërave Olimpike Verore në 2020-ën në Tokio.