AlbanianSport.com 16.01.2016 18:45
ASNN – Mungesa e korrektesës përsa i përket respektimit të kushteve të kontratës rikthehet edhe një herë në makth për klubet shqiptare, të cilave ende nuk u është bërë mësim pësimi. Dukuria mbetet e njëjtë, por ajo që ndryshon është skuadra që ndëshkohet.
Këtë radhë, kjo skuadër është Flamurtari, e cila mësohet se është ndëshkuar me zbritjen e 3 pikëve në renditjen aktuale të Kategorisë Superiore të Kampionatit Kombëtar të Futbollit, pas një vendimi të organizmit që qeveris futbollin botëror, FIFA-s, për borxhe të pashlyera.
Ende nuk dihet se për çfarë borxhi bëhet fjalë konkretisht, pasi skuadra vlonjate pretendon se ndaj lojtarëve që janë larguar i ka shlyer detyrimet. Edhe borxhi ndaj Toni Pezos, një ish-lojtar i Flamurtarit ndaj të cilit klubi kishte një detyrim prej 17,500 eurosh, thuhet se është likuiduar.
Por, pavarsisht kësaj, FIFA ka vendosur të bëhet ky ndëshkim, mesa duket, për shkak të vonesës së shlyerjes së detyrimit. Mbeten për t’u parë rrethanat dhe hollësitë që çuan në këtë masë ndëshkuese, por, pas këtij vendimi, skuadra vlonjate zbret në vendin e parafundit, në kuotën e 13 pikëve, duke rrezikuar mbijetesën.