AlbanianSport.com 31.01.2016 11:15
ASNN – Është një histori që përsëritet, me emra të ndryshëm, por edhe të njëjtë, që nxjerr edhe një herë në pah mungesën e korrektesës në marrëdhëniet klub-lojtar, si dhe shkallën e informalitetit në administrimin e futbollit shqiptar. Kështu, FIFA përdori sërish dorën e hekurt ndaj klubeve shqiptare dhe, pas Flamurtarit, që u dënua me zbritjen e 3 pikëve nga organizmi më i lartë i futbollit botëror për mosshlyerje të detyrimeve financiare ndaj kroatit Toni Pezo, këtë herë e kanë pësuar dy klube të Kategorisë së Parë.
Bëhet fjalë për Kastriotin dhe Dinamon, që ashtu si Flamurtari, janë dënuar me heqjen e 3 pikëve nga renditja aktuale. Blutë kryeqytetas, 18 herë kampionë të Shqipërisë, e kanë marrë këtë penalizim nga FIFA për faktin se nuk kanë shlyer detyrimet financiare ndaj futbollist argjentinas, Lukas Malakarne. 27-vjeçari amerikano-jugor i cili ka një të shkuar në Kategorinë Superiore edhe te Kastrioti e Kukësi, fitoi gjyqin që hapi në FIFA ndaj Dinamos.
Dhe diçka të tillë e kanë pranuar edhe vetë drejtuesit e klubit kryeqytetas. Mosshlyerja e detyrimeve financiare ndaj një tjetër futbollisti të huaj është bërë shkak edhe për dënimin e Kastriotit. Nga ana e tyre, krutanët janë ndëshkuar nga FIFA, për faktin se nuk ka shlyer në kohë detyrimet ndaj rumunit Dragoi. Në Krujë pretendojnë se diçka e tillë nuk është e vërtetë.
Por nëse shikon renditjen e fundit, të përditësuar nga Federata e Shqiptare e Futbollit, që në këtë rast është ajo që ekzekuton vendimin e ardhur nga FIFA, shikon që Kastrioti pozicionohet në vendin e 3-të në kuotën 27 pikëve, 3 më pak sesa ka grumbulluar në fushën e blertë. Një dënim i kushtueshëm ky për objektivat sezonalë të Kastriotit që tashmë parakalohet në renditjen e grupit A të Kategorisë së Parë nga Besëlidhja dhe Korabi.
Në krahun tjetër, Dinamo me heqjen e tre pikëve nga FIFAi afrohet gjithnjë e më shumë zonës së ftohtë të renditjes në grupin B të nivelit të dytë të Kampionatit Kombëtar të Futbollit, teksa pozicionohet në vendin e 6-të në kuotën e 13 pikëve. Për Dinamon kjo nuk është hera e parë që dënohet me heqje pikësh nga FIFA, pasi Blutë kryeqytetas e kanë provuar diçka të tillë edhe në vitin 2010, kur iu zbritën 6 pikë.